
Pas zhvillimeve të fundit në Agjencinë për Përkrahje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Financa në Maqedoninë e Veriut njoftoi se janë ndërprerë pagesat e mjeteve nga programi IPA/IPARD, transmeton Portalb.mk.
“RMV-ja përmes strukturave dhe organeve për menaxhimin e mjeteve nga instrumenti IPA/IPARD i Bashkimit Evropian, miratoi vendim lidhur me ndërprerjen e përkohshme të pagesave të mjeteve nga programi IPARD”, njoftoi Ministria e Financave.
Ministria vlerësoi se ky vendim dëshmon se Maqedonia e Veriut mbrohet nga mashtrimet dhe korrupsioni.
“Për këtë vendim, ditën e njëjtë është informuar Komisioni Evropian dhe shërbimet në Bruksel, të cilat kanë kthyer përgjigje dhe e kanë përgëzuar vendimin e strukturave nacionale”, sqaroi Ministria, duke përkujtuar se mjetet nga instrumenti IPA/IPARD shfrytëzohen nga vitit 2009.
Kujtojmë se, më 6 nëntor, në RMV janë arrestuar pesë persona nën dyshimet për ryshfet dhe ndikim të paligjshëm. I dyshuari kryesor dyshohet se ka premtuar para drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi që të nënshkruhej një marrëveshje për fonde IPARD, ndonëse kompania e tij nuk plotësonte kushtet. Tre ndërmjetës, përfshirë zyrtarë shtetërorë, dyshohet se kanë ndikuar në marrjen e vendimit të paligjshëm, ndërsa gjatë bastisjeve u sekuestruan para të konsiderueshme.
Ilija Stoilev, aktualisht Drejtor i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, është privuar nga liria pasditen e 6 nëntorit.

