Gazetar: Avni Tahiri

Pas tre ditësh përpjekjesh intensive, zjarri i madh që përfshiu rajonin e Kavadarit është vënë nën kontroll.

Ekipet e zjarrfikësve, së bashku me shërbimet e tjera të angazhuara në terren, arritën të lokalizojnë flakët dhe të parandalojnë përhapjen e tyre të mëtejshme. Megjithatë, autoritetet bëjnë të ditur se ekipet do të vazhdojnë të qëndrojnë në zonë për monitorim dhe për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura, me qëllim që të mos ketë riaktivizim të zjarrit.

Për shuarjen e këtij zjarri janë angazhuar edhe tre Air Tractor, ndërsa sipas Drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sojançe Angelov, zjarri në rajonin e Kavadirit ishte një nga më të mëdhenjtë e ditëve të fundit në vend, ndërsa temperaturat e larta dhe era e fortë e vështirësuan ndërhyrjen e forcave të zjarrfikësve.

“Gjatë ditës së djeshme kemi pasur rreth 30 zjarre në hapësira të hapura. Disa prej tyre u shndërruan në zjarre serioze, ndërsa më i vështiri ishte pikërisht ky në Kavadar. Sot, që nga orët e hershme të mëngjesit, kanë vepruar tre avionë zjarrfikës ‘Air Tractor’, të cilët së bashku me zjarrfikësit lokalë ndihmuan që zjarri pothuajse tërësisht të vihej nën kontroll”tha Sojançe Angelov – Drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim

Kryetari i Komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, tha se zjarri ishte raportuar më 2 gusht rreth orës 21:00 dhe se flakët kishin shpërthyer njëkohësisht në pesë lokacione të ndryshme dhe se dyshohet se zjarri është i qëllimshëm.

“Bëhet fjalë për një zjarr që, sipas vlerësimeve tona, me 90 % gjasa është shkaktuar qëllimisht. Pas zjarrit menjëherë u njoftuan drejtoria dhe QMK,-ja, së bashku me SPB Kavadar, dhe njësitit të zjarrfikësve dolën në terren. U ndërhy deri në orët e vona të mbrëmjes por për shkak të terrenit jashtëzakonisht të paarritshëm, nuk ishte e mundur të lokalizohej që natën e parë por të nesërmen, në ditën e tretë vazhduam me shuarje të zjarrit.”tha Mitko Jançev – Kryetar i Komunës së Kavadarit

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës për Menaxhim me Kriza, në territorin e vendit tonë janë regjistruar 5 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, vetëm një mbetet aktiv por nën kontroll, në zonën e Komunës së Kavadarit, ndërsa katër zjarre të tjera janë shuar. Ekipet në terren vazhdojnë monitorimin për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut nga riaktivizimi i vatrave./Alsat.mk.

The post Pas tre ditësh betejë me flakët, zjarri në Kavadar nën kontroll appeared first on Alsat.