Ku ndodhet Maqedonia në procesin e integrimit evropian, çfarë kemi arritur, cilat janë pengesat për vazhdimin e rrugës drejt BE-së dhe nëse ekziston një strategji konkrete për të dalë nga situata aktuale. Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, i drejtoi kryeministrit Mickoski pyetje të drejtpërdrejta për rrugën evropiane të vendit, veçanërisht pas takimit të fundit të ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova Çamova, si dhe mesazheve të komisares evropiane Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në vend. Pasholli kërkoi hapur përfshirjen e Kuvendit në këtë proces, veçanërisht të opozitës.

“Cila është strategjia konkrete për zhbllokimin e situatës rreth negociatave me Bashkimin Evropian? A keni siguruar ndonjë garanci nga Bashkimi Evropian ose nga pala bullgare për të mundësuar ndryshimin e gjendjes aktuale? Nëse jo, cilat janë pritshmëritë dhe cili është afati brenda të cilit parashikoni që Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë hapin e radhës në negociata?”, tha Arbana Pasholli

Kryeministri Mickoski u përgjigj se Bashkimi Evropian mbetet prioritet për vendin dhe e ftoi opozitën të bëhet pjesë e ekipit negociues me Bullgarinë. Sa u përket hapave të mëtejshëm, ai tha se do t’i kërkohet fqinjit tonë lindor të pranojë Planin e Veprimit për Pakicat, pa të cilin nuk mund të nisin negociatat.

“Në këtë dialog që po zhvillojmë me Bullgarinë, ju ftoj që, si opozitë e bashkuar e disa partive politike, të propozoni përfaqësues që do të jenë pjesë e ekipit që do ta zhvillojë këtë dialog me fqinjin tonë lindor. Meqë më pyesni se çfarë do të bëjmë tani, do të zhvillojmë dialog për harmonizimin e Planit të Veprimit për Pakicat, të cilin e kanë pranuar 26 shtete anëtare të Bashkimit Evropian si të tillë dhe si dokument evropian, me përjashtim të një shteti anëtar, Bullgarisë”, tha Hrisitjan Mickoksi.

Sa u përket çështjeve të hapura mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, javën e kaluar ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, u takua me homologen e tij bullgare, Velislava Petrova Çamova. Pas takimit, vetë Mucunski deklaroi se nuk kishte pasur përparim në bisedime.