Pas udhëtimit më të thellë në hapësirë, astronautët e “Artemis II” nisën rikthimin drejt Tokës, duke përmbyllur një udhëtim rreth Hënës që zbuloi pamje të anës së saj të largët që nuk ishin parë kurrë më parë nga sytë e njeriut.
Specialisti i misionit, Xheremi Hansen, tha nga bordi i anijes “Orion” se të qenit në anën e largët të Hënës dhe jashtë kontaktit me Tokën e bëri të ndihej i emocionuar.
“Pamë Tokën të zhdukej. Bënim më të mirën për të mbledhur sa më shumë të dhëna shkencore që të ishte e mundur ndërsa ishim në anën e largët të Hënës. Dhe ishim shumë të emocionuar këtu brenda, si në momentet më të bukura të jetës sonë”, deklaroi Xheremi Hansen, Specialist i Misionit.
Komandanti i misionit tha se ekuipazhi ndau biskota ndërsa ishin pa kontakt me Tokën, përpara se t’i riktheheshin shpejt punës.
“Sapo dolëm jashtë komunikimit me Tokën, ne hëngrëm disa biskota me krem panje. U mblodhëm të gjithë bashkë për rreth 30 sekonda, secili prej nesh mori nga një biskotë, dhe pastaj u kthyem menjëherë te puna shkencore”, tha Reid Uisman, Komandant i Artemis II.
Pasi përshkuan një distancë rekord prej 406,771 km larg Tokës dhe bënë një rrotullim rreth hënës, astronautët e Artemis II janë në rrugën e tyre për në shtëpi. Anija kozmike “Orion” la orbitën e Tokës të enjten në mbrëmje dhe më pas hyri në sferën hënore, ku tërheqja e gravitetit të Hënës është më e fortë se ajo e Tokës. Ekuipazhi pritet të kthehet në Tokë të premten në mbrëmje./Alsat.mk.
The post Pasi bënë një rrotullim rreth Hënës, astronautët e “Artemis 2” janë në rrugë drejt Tokës appeared first on Alsat.
