Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se kryetari Bedri Hamza kishte bërë të ditur publikisht se kurdo që hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme do të japë dorëheqje dhe nuk do të kandidojë më.
Në një përgjigje për KOHËN nga Zyra për Informim e PDK-së lidhur me pyetjen nëse Hamza ka dhënë dorëheqje, nga kjo Zyrë është thënë se nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje.
Është thënë se PDK-ja në këtë fazë është e përqendruar në finalizimin e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë {lirimtare të Kosovës që janë dënuar në shkallën e parë nga Gjykata e Hagës.
“Nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje. Kryetari Hamza e ka bërë të ditur publikisht se, kurdo që hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më. Në këtë fazë, PDK-ja është e përqendruar në finalizimin e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në fazën e apelit. Për çdo vendim dhe zhvillim zyrtar brenda partisë, do t’ju njoftojmë në kohën e duhur”, u tha nga Zyra për Informim e PDK-së.
Në një njoftim të PDK-së më 17 qershor, ishte thënë se afati i përcaktuar për fillimin e zgjedhjeve të brendshme është muaji shtator.
“Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi rëndësinë e një procesi korrekt dhe transparent, duke garantuar përmbajtje dhe standarde të larta demokratike në çdo hap të tij. Në këtë kuadër, u vendos formimi i një grupi punues, i cili do të ketë përgjegjësi për përgatitjen teknike dhe ligjore të këtij procesi zgjedhor. Ky grup do të kujdeset për orientimin, mbarëvajtjen dhe strategjinë e përgjithshme, duke siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe të drejtë. Afati i përcaktuar për fillimin e zgjedhjeve të brendshme është muaji shtator, duke i dhënë kohë të mjaftueshme strukturave organizative për përgatitje të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Kryesia e PDK-së riafirmoi përkushtimin e saj për një proces demokratik, të drejtë dhe përfaqësues, në përputhje me standardet dhe traditën politike të PDK-së”, thuhej në njoftimin.
