Deri në tetor 2025, Dogana ka mbledhur rreth 425 milionë euro akciza, që përfaqëson realizim prej 73.9% të planit vjetor. Kjo është gati 10 pikë përqindje më pak nga sa duhej të ishte arkëtuar për këtë periudhë. Përndryshe, sipas planit të Ministrisë së Financave për vitin 2025, duhet të grumbullohen gjithsej 575 milionë euro. Që të arrihet plani, në dy muajt e fundit duhet të arkëtohen edhe 150 milionë euro. Nëse vazhdon dinamika aktuale mujore, është e mundur që në fund të vitit të mungojnë rreth 50 milionë euro në këtë kategori.

“A do ta arrijmë 100% arkëtimin e akcizës, e cila është përcaktuar nga Ministria e Financave, nuk e di. Këtë do ta shohim në fund. Na kanë mbetur edhe dy muaj për llogaritje dhe më 31 dhjetor, pra vitin e ardhshëm, do të dalim me shifrën përfundimtare. Prandaj nuk do të doja të spekuloj tani”, tha Boban Nikolovski.

Ndryshe, nga Dogana thonë se dërgesat me vlerë nën 22 euro, të cilat qytetarët i porosisin përmes internetit, tashmë i nënshtrohen detyrimeve doganore gjatë importit. Ata sqarojnë se pagesa bëhet në momentin e zhdoganimit, sipas rregulloreve që vlejnë në ditën e importit, se procesi është transparent dhe operatorët ekonomikë janë njoftuar me kohë që të mos ketë vonesa. Masa është në përputhje edhe me rregullat e BE-së dhe synon trajtim të drejtë të tregtisë vendase.

“Nuk presim ulje të qarkullimit. Analizat tregojnë se nuk priten ulje drastike, ndërsa të ardhurat në buxhet do të rriten”, tha ai.

Ndryshe, ndryshimet në Ligjin për TVSH-në, me të cilat hiqet përjashtimi për dërgesat deri në 22 euro, u votuan më 18 nëntor 2025 dhe hynë në fuqi tetë ditë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare”.