
Tre javët e fundit është rritur dukshëm numri i pacientëve – fëmijë me simptoma të gripit dhe gjendjeve të ngjashme me gripin, thonë nga Klinika e Fëmijëve në Spitalin “Nënë Tereza” Shkup. Drejtori Rexhep Memedi bëri të ditur se brenda 24 orëve ka deri në 150 fëmijë që kërkojnë ndihmë mjekësore në këtë klinikë, ndërsa të hospitalizuar momentalisht janë rreth 30.
“Pjesa më e madhe kryesisht janë pacientë me sëmundje respiratore – simptoma të gripit: temperaturë e lartë trupore, kollitje, sekrecione në hundë, skuqje të syve dhe fytit, dhimbje në muskuj, tek foshnjat frymëmarrje e vështirësuar etj. Të gjithë pacientët marrin trajtimin e duhur dhe rekomandimet e stafit mjekësor në Klinikën e Fëmijëve. Fëmijët e vegjël, e sidomos foshnjat që kanë gjendje më të vështirësuar me ndezje në mushkëri, pranohen për trajtim spitalor”, theksoi Rexhep Memedi, drejtor i Klinikës së Fëmijëve.
Para dy ditëve, edhe nga Instituti i Shëndetit Publik thanë se më të prekur janë fëmijët nga mosha 5 deri 14 vjeç. Drejtoresha Marija Andonovska pret që kulmi i virusit të jetë në gjysmën e dytë të këtij muaji dhe në fillim të shkurtit.
“Duke pasur parasysh periudhën në të cilën ndodhemi, me festa dhe tubime, kjo është diçka që pritet. Presim që kulmi të jetë në gjysmën e dytë të këtij muaji dhe gjysmën e parë të shkurtit. Me kthimin e fëmijëve në shkollë, presim që numri i personave që do të sëmuren me grip ose sëmundje të ngjashme me gripin mund të rritet”, pohoi Marija Andonovska, drejtoreshë e ISHP-së.
Drejtori i Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi, bëri të ditur se e kanë izoluar virusin e gripit – Influenza A, por ka filluar të qarkullojë edhe RSV (Virusi Respirator Sincitijal). Nga klinika rekomandojnë masa preventive: masat higjienike për vetëmbrojtje – pastrimi shpesh i duarve, mbajtja e maskës në rast se keni simptoma të gripit, konsumimi i lëngjeve – supë, çaj etj. Të evitohet qëndrimi në ambiente ku ka shumë njerëz, sidomos ku ka njerëz me simptoma të gripit.
