Qindra shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kontaktuar përfaqësitë diplomatike-konsullore, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë në pritje të shpëtimit nga zonat e prekura nga luftimet në Lindjen e Mesme. Megjithatë, evakuimi për momentin është i pamundur. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme tani për tani nuk rekomandohet evakuimi përmes rrugës tokësore, sidomos për shtetasit tanë që ndodhen në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Në bazë të të dhënave të fundit, nga fillimi i konfliktit deri më sot gjithsej 473 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kontaktuar më përfaqësitë konsullore-diplomatike në Tel-Aviv, Doha dhe Abu Dabi. Prej tyre 19 persona janë në Izrael, 106 në Katar, ndërsa 348 shtetas janë paraqitur në përfaqësinë konsullore-diplomatike në Abu Dabi. Në këto shifra, të përfshirë janë edhe 18 persona në Kuvajt dhe 12 në Bahrejn”, njoftojnë nga Ministria e Jashtme.

Sipas Ministrisë së Punëve të jashtme, evakuimi i shtetasve nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara do të fillojë në mundësinë e parë kur të krijohen kushtet e sigurisë. Ndërsa lidhur me shtetasit tanë që ndodhen në Tel-Aviv po shqyrtohen alternativat e mundshme për tërheqjen e tyre të sigurt. Ministria e Jashtme sërish apelon shtetasit tanë që ndodhen në zonat e prekura nga sulmet që vazhdimisht të ndjekin paralajmërimet dhe udhëzimet e autoriteteve të atjeshme. Ndërsa në dispozicion vazhdojnë të jenë linjat telefonike të shtabit të Krizës të Ministrisë së Jashtme dhe kontaktet e përfaqësive diplomatike. /Alsat.mk

The post Për momentin evakuimi i shtetasve tonë nga zonat me rrezik të lartë i pamundur appeared first on Alsat.