Kanë kaluar katër muaj që nga ndarja nga jeta e artistit të dashur shqiptar, Shpat Kasapi, një humbje që ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në skenën muzikore, por edhe në zemrat e familjarëve, miqve dhe publikut që e ka ndjekur ndër vite.
I njohur për energjinë e tij në skenë, për këngët që shoqëruan breza të tërë dhe për personalitetin e tij të ngrohtë, Shpati mbetet një figurë e paharrueshme për artin shqiptar.
Mungesa e tij ndihet çdo ditë, ndërsa kujtimet për të vazhdojnë të jetojnë përmes muzikës dhe dashurisë që la pas.
Bashkëshortja e tij, Selvije Jao, ka ndarë një mesazh tepër prekës, duke shprehur mallin dhe dhimbjen që vazhdon të mbetet e fortë edhe pas katër muajsh.
Ajo theksoi lidhjen e veçantë që Shpati kishte me djalin e tyre, Roelin, duke e përshkruar atë si gjithë botën e tij.
“Shpresoj që je duke vallëzuar në qiell. Për botën ishte ylli i skenës, por për Roelin bota ishe vetëm ti. 4 muaj pa ty, por gjithmonë në zemrat tona. Na mungon çdo sekondë Shpat”, ka shkruar ajo.
Ky dedikim prekës rikthen edhe një herë në vëmendje jo vetëm artistin e madh që ishte Shpat Kasapi, por edhe njeriun familjar, babanë dhe bashkëshortin e përkushtuar, mungesa e të cilit vazhdon të ndihet thellësisht çdo ditë.

