Për shkak të borës dhe akullit, nga 11 janari deri dje, Ndihma e Shpejtë në Shkup ka pasur gjithsej 254 intervenime.

Doktor Rijad Rexhepi, shef turni në Ndihmën e Shpejtë në Shkup, deklaroi për MIA se nga këto 254 intervenime, ka pasur aksidente trafiku, qytetarë të lënduar që kanë rrëshqitur në akull, persona në gjendje të dehur që kanë pësuar lëndime, por edhe disa që kanë përfunduar me lëndime gjatë një zënke.

“Janë evidentuar gjashtë intervenime për shkak të rrëzimeve nga bora, ku njerëzit kanë lënduar këmbët, kokën… Të mos dilet pa nevojë, kjo vlen veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit. Gjithmonë të respektohen këshillat e AMSM-së. Të vozitet me kujdes, të përdoret pajisje dimërore dhe të mos tejkalohet shpejtësia e lejuar me automjet”, apeloi doktor Rexhepi, përcjell TV21.