Gazetar: Bashkim Sulejmani
Reshjet e shiut që filluan para katër ditësh në Tetovë, kanë bërë që uji të mos jetë i pijshëm. Sipas Institutit për Shëndet Publik, analizat kanë treguar se i njëjti nuk preferohet për pije, sepse dukshëm vërehet turbullim i ujit, ngjyrë kafe por edhe aromë.
“Sasia e madhe e shiut që reshi ditëve të fundit në masivin tonë, shkaktoi errësim të ujit për pije. Rezultatet e para na tregojnë se përbërja kimike dhe fizike tregon zvogëlim të vlerave të ujit, ndërsa përbërjen mikrobiologjike do duhet tre ditë ta presim dhe në bazë të tyre dhe në bazë të kësaj, rekomandojmë mos përdoret uji për pije, por të vlohet dhe përdoret, ndërsa ujë për pije të blihet”, deklaroi Ratko Davitkovski, ISHP.
Sipas drejtorit të NPK Sharri Valon Zeqiri për momentin ka 240 litra ujë në sekondë ndërsa mungesë ka në lagjen 146 ku tash më 24 orë nuk kanë ujë për pije.
SINKRON –
“Për sasinë e ujit kemi 240 litra ujë në sekondë së bashku me puset që i kemi aktivizuar dhe filtër stacioni vazhdon të jetë akoma jashtë funksionit pasi që kemi ujë të turbullt dhe në bazë të reshurve që kanë rënë mbrëmë kemi ujë të turbullt nga burimet e Leshnicës”, tha Valon Zeqiri Drejtor i NPK Sharri.
Ndryshe, uji për pije në Tetovë, gati se çdo vit, në stinën e vjeshtës kur fillon rënia e gjetheve për disa ditë merr një aromë të rëndë, ndërsa me fillimin e reshjeve, ndotet burimi i Leshnicës dhe i njëjti nuk rekomandohet për pije, deri në marrjen e rezultateve nga ana e Institutit të Shëndetit Publik. /Alsat.mk
The post Për shkak të reshjeve të shiut, uji në Tetovë për momentin nuk është i pijshëm appeared first on Alsat.

