Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Mjekët ngrenë alarmin që qytetarët të mos përdorin antibiotikët për trajtimin e gripit tek fëmijët, pasi bëhet fjalë për virozë dhe antibiotikët nuk kanë asnjë efekt në këtë rast. Sipas mjekëve janë vet prindërit që në të shumtën e rasteve kërkojnë përshkrimin e antibiotikëve me shpresën se kështu do të përshpejtohet shërimi. Pediatrja Sanja Mlladenovska thekson se antibiotikët përdoren vetëm në raste më të rënda, kur tek fëmijët shfaqen infeksione bakteriale.
“ Është shumë me rëndësi të theksohet pasi shumë shpesh prindërit e fëmijëve që frikësohen nga temperaturat e larta na kërkojnë neve mjekëve të ju shkruajmë antibiotikë. Megjithatë kur është e qartë pasqyra klinike mund ta shohim se bëhet fjalë për infeksion virusal siç është gripi. Në disa raste nëse dyshojmë mund të kërkojmë analiza laboratorike që ta vërtetojmë se bëhet fjalë për infeksion virusal, pra antibiotikët janë të rezervuar vetëm për ata pacientë që zhvillojnë infeksione sekondare dhe komplikime”, tha Sanja Cilevska Mlladenvoska.
Përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve jo vetëm që nuk ndihmon shërimin nga gripi, por mund të shkaktojë pasoja serioze, si dobësim të imunitetit dhe rezistencë ndaj antibiotikëve.
“Është e rëndësishme që të kemi dëshmi për bakterie superinfeksionale pasi që antibiotiku ulë për një kohë të gjatë sistemin imunitar të trupit, dhe nuk lejon që të luftojë me infeksionin virusal në mënyrë të duhur siç është organizmi që nuk është nën terapi të antibiotikëve”, shtoi ajo.
Mjekët apelojnë që për çdo situatë shëndetësore, prindërit patjetër të dërgojnë fëmijët për kontroll te mjeku dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë për përcaktimin e terapisë së duhur, duke shmangur vetëmjekimin dhe përdorimin e barnave pa rekomandim mjekësor.
Drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski, paralajmëroi masa ndëshkuese në rast të tejkalimit të kuotave për përshkrimin e antibiotikëve. Sipas tij, më kritike tek në është përdorimi i antibiotikit Sumamed, ku gjatë vitit të kaluar ka pasur rritje prej 23 për qind në përdorimin e tij./Alsat.mk
The post Përdorimi i antibiotikëve për trajtimin e virozëve nuk ndihmon në shërimin e fëmijëve, përkundrazi sipas mjekëve dobëson edhe më shumë imunitetin e tyre appeared first on Alsat.
