Gazetar: Suad Bajrami

Ministria e Administratës premton se deri në fund të muajit nëntor do ta publikojë raportin vjetor për të punësuarit në sektorin publik për vitin 2024, në të cilin jepen të dhënat për të punësuarit në administratë. Zvarritjen e publikimit të raportit, i cili tradicionalisht i ofrohet publikut në mars, resori me të cilin udhëheqë Goran Minçev e arsyeton me avancimin e sistemit për menaxhim me burime njerëzore.

“Deri më tani, përpunimi i raportit është bazuar në të dhëna nga shumë burime të cilat më pas janë kryqëzuar, që shpesh ka shkaktuar mospërputhje dhe disa anomali në saktësi. Me vendosjen e sistemit të ri të avancuar, këto sfida janë tejkaluar, por mu për shkak nevojës së përputhjes së të dhënave dhe finalizimit të avancimeve teknike, procesi i përpunimit dhe publikimit të raportit këtë vit është prolonguar përkohësisht”, thonë nga Ministria e Administratës.

Mospublikimi i raportit, pamundëson qasjen në informacion për pasqyrën e të punësuarve në administratë, sidomos rreth përkatësisë së tyre etnike. Interesi për këto të dhëna, shtohet plotësisht duke e pasur parasysh se prej shfuqizimit të Balancuesit në tetor të vitit të kaluar, shteti ka mbetur pa asnjë mekanizëm që do t’i detyronte udhëheqësit e institucioneve të mbajnë llogari për kategorinë kushtetuese të përfaqësimit të komuniteteve.

Ndërkohë zgjidhja qeveritare apo Ligji për Përfaqësim të Drejtë, i cili do të zëvendësonte “Balancuesin” ndodhet për mendim në Komisionin e Venecias, i cili pritet që gjatë muajit dhjetor të japë mendim nëse është në përputhje me Kushtetutën dhe më pastaj të vijohet me procedurën e debatit dhe miratimit në Kuvend. Pavarësisht premtimeve, nuk dihet afati konkret se kur ligji do të miratohet dhe si do të ndikojë në gjendjen e përfaqësimit të komuniteteve, periudha e vakumit kur nuk ka në fuqi as Balancues e as ligj. /Alsat.mk

The post “Përfaqësimi”, Ministria e Administratës: Raporti u prolongua për arsye teknike appeared first on Alsat.