Platforma suedeze e muzikës Spotify ka njoftuar se të gjithë përdoruesit që nuk janë abonuar do të jenë në gjendje të kërkojnë dhe të luajnë çdo këngë që dëshirojnë, duke shënuar një nga ndryshimet më të mëdha në modelin e saj të biznesit deri më sot.
Paketa e re e veçorive – “Zgjidh dhe Luaj”, “Kërko dhe Luaj” dhe “Ndaj dhe Luaj” – duhet të rrisë angazhimin midis përdoruesve falas, ndërkohë që do të nxisë edhe biznesin reklamues të kompanisë.
Deri më tani, përdoruesit jo-abonentë në pajisjet mobile mund të dëgjonin muzikë në Spotify vetëm në rend të rastësishëm, me një numër të kufizuar anashkalimesh këngësh. Tani ata do të jenë në gjendje të zgjedhin një këngë direkt në aplikacion ose të luajnë një këngë që u është dërguar nga një mik ose artist në mediat sociale.
Megjithatë, përdoruesit e versionit falas të Spotify do të jenë në gjendje t’i përdorin këto funksione vetëm për një kohë të kufizuar gjatë ditës, pas së cilës ato do të kthehen në modalitetin e mëparshëm. Kompania suedeze nuk specifikoi se cili është limiti, por konfirmoi se pajtimtarët nuk kanë ende kufizime të tilla.
Ky ndryshim vjen në një kohë kur biznesi i reklamave i kompanisë po përballet me vështirësi.
Drejtori ekzekutiv Daniel Eck pranoi se rritja e të ardhurave nga reklamat ishte më e ngadaltë se sa pritej dhe përbënte 11% të të ardhurave totale nga fillimi i vitit deri në qershor, shumë më poshtë objektivit prej 20%.
Rritja e aktivitetit të përdoruesve mund të rrisë numrin e reklamave të shfaqura dhe të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.
Sipas të dhënave më të fundit, Spotify ka 696 milionë përdorues aktivë mujorë, nga të cilët 433 milionë përdorin versionin falas.
The post Përfitime të reja për përdoruesit falas të Spotify: Ata më në fund do të jenë në gjendje të kërkojnë dhe të luajnë këngë sipas zgjedhjes së tyre appeared first on Alsat.
