Përfundojnë negociatat e sotme për paqen në Gazë, Trump: Ishin të suksesshme, ecin shpejtë

Presidenti amerikan, Donald Trump është deklaruar pas negociatave në Egjipt, të cilat kanë për synim arritjen e paqes në Gazë dhe dhënies fund të luftës në Lindjen e Mesme, njofton TV21.

Trump deklaroi se negociatat ecin shpejtë dhe se kanë qenë të suksesshme, ndërkaq paralajmëroi negociata edhe për të hënën.

Megjithatë, ai u ka dhënë urdhër negociatorëve që të veprojnë shpejtë, sepse siç thotë, koha është kritike dhe se nuk sillet vendim, “gjakderdhja do të jetë masive”.

“Ka pasur diskutime shumë pozitive me Hamasin dhe me vende nga e gjithë bota (Arabe, Myslimane dhe të tjera) këtë fundjavë, për lirimin e pengjeve, përfundimin e luftës në Gaza, por më e rëndësishmja, për të arritur më në fund paqen e shumëkërkuar në Lindjen e Mesme. Këto bisedime kanë qenë shumë të suksesshme dhe po ecin me shpejtësi. Ekipet teknike do të takohen sërish të hënën, në Egjipt, për të punuar dhe sqaruar detajet përfundimtare. Më është thënë se faza e parë duhet të përfundojë këtë javë, dhe po u kërkoj të gjithëve të VEPRONI SHPEJT. Do të vazhdoj të monitoroj këtë “konflikt” shekullor. KOHA ËSHTË KRITIKE, PËRNDRYSHE DO TË KETË GJAKDERDHJE MASIVE — DIÇKA QË ASKUSH NUK DO TA SHOHË!”, shkruan Trump.