Përgatitjet e fundit për Vitin e Ri në Maqedoni, viti 2026 tashmë ka filluar në disa pjesë të botes

Ndërsa Maqedonia e Veriut po bën përgatitjet e fundit për natën e ndërrimit të moteve, në anën tjetër të globit viti 2026 tashmë ka mbërritur. Fishekzjarrët e parë kanë ndriçuar qiellin mbi Paqësor, duke shënuar fillimin e një kapitulli të ri.

I pari që “shkeli” në vitin 2026 ishte shteti ishullor i Kiribatit, konkretisht ishulli Kiritimati. Në këtë cep të largët të Paqësorit, banorët vendas i pritën akrepat e mesnatës mes këngëve tradicionale dhe një qetësie që thyhet vetëm nga dallgët e oqeanit, plot 13 orë përpara se mesnata të arrijë në Evropën Qendrore. Vetëm pak minuta më pas, festa u zhvendos në ishujt Samoa dhe Tonga.

Megjithatë, ishte Zelanda e Re ajo që i dha botës pamjet e para të një feste të vërtetë moderne. Në Auckland, rreth kullës ikonike “Sky Toëer”, mijëra njerëz sfiduan temperaturat e larta të verës jugore. Një numërim mbrapsht me drita laser u pasua nga një shpërthim fishekzjarrësh që ndriçoi të gjithë portin e qytetit.

Por, pa dyshim, mbretëresha e festimeve të para mbetet Australia. Porti i Sidneit u pushtua nga më shumë se një milion njerëz që kishin zënë vendet e tyre që në orët e para të mëngjesit. Spektakli i këtij viti në “Harbour Bridge” thuhet se ka kushtuar miliona dollarë, me një teknologji të re piroteknike miqësore me mjedisin.

Pas Australisë, “vala” e vitit 2026 do të kalojë në Japoni, ku zilja e tempujve budistë do të bjerë 108 herë për të larguar mëkatet e vitit të kaluar, e më pas në Kore dhe Kinë.

Festimet globale tashmë po vijojnë gjithandej ndërkohë që do të duhen plot 26 orë që i gjithë globi të hyjë zyrtarisht në vitin 2026. Vendi i fundit që do t’i thotë lamtumirë vitit 2025 do të jetë Ishulli Baker në territorin amerikan, ku ndërrimi I motive do të ndodhë nesër në mesditë sipas orës sonë. /Alsat.mk