Gazetar: Suad Bajrami
Hetuesit e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit gjatë ditës së djeshme kanë hyrë në Agjencinë për Siguri Kombëtare, në kuadër të procedurës parahetimore lidhur me dyshimet për përgjim dhe ndjekje të paligjshëm gjatë periudhës 2019-2024.
“Në kuadër të procedurës parahetimore ekipi i hetuesve nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit janë pranuar në ASK ku është dakorduar dinamika për zbatimin e kontrollit në dokumentacionit me të cilën disponon ASK, e cila ka të bëjë me pretendimet që janë të përfshira në njoftimet e dorëzuara në Prokurori”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Gjatë periudhës në vazhdim, organi i të akuzës do të bëjë kontroll të dokumentacionit për të vërtetuar pretendimet për përgjim dhe ndjekje të liderit të VMRO DPME-së, Hristijan Mickoski, i cili gjatë periudhës kritike ishte në opozitë. Krahas tij, ishin ndjekur dhe përgjuar edhe disa gazetarë dhe biznesmenë, por edhe një ministër dhe një prokuror.
“Duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për dokumentacion voluminoz dhe sensitiv, në bazë të të cilës duhen të sigurohen prova relevante, por edhe fakti se i njëjti ka shkallë të konfidencialitetit, kontrolli do të zgjatë në periudhën e ardhshme, ndërsa do të ndërmerren edhe veprime tjera parahetuese”, shtuan nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Ndërkohë, në Agjencinë për Siguri Kombëtare pritet që në periudhën në vazhdim të shkojnë për vizitë edhe deputetët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Punës së ASK-së. Kryetari i Komisionit, Skender Rexhepi për të mërkurën ka thirrur mbledhje, në të cilën duhet të caktohet data dhe ora e vizitës. Skandalin e ndjekjes dhe përgjimit ilegal, e zbardhi udhëheqësia aktuale e ASK-së, pas një hetimi të brendshëm. ASK-ja me të cilën aktualisht udhëheqë Bojan Hristovski, kishte denoncuar rastin në Prokurori, pas dyshimeve se një ish drejtor i ASK-së dhe disa të punësuar kanë ndjekur dhe përgjuar funksionarë në mënyrë të paligjshme nën arsyetimin se po tentohet të rrëzohet pushteti i atëhershëm i udhëhequr nga LSDM dhe BDI./Alsat.mk
The post Përgjimet, Prokuroria hyri në Agjencinë për Siguri Kombëtare appeared first on Alsat.
