Ju keni mbështetjen tonë për të vazhduar rrugën drejt BE-së, ndërsa Kroacia mbetet partner i fuqishëm i Maqedonisë në procesin e integrimeve europiane, tha kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq në konferencë të përbashkët për media me kryeparlamentarin Afrim Gashi, pasi u prit me nderime të larta shtetërore në mëngjes.

“Kroacia është mbështetëse e fortë e rrugës së Maqedonisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Ne e dimë që keni probleme, ne kemi ndjekur rrugën tuaj ndër vitesh, ju e keni pasur shumë të vështirë anëtarësimin në NATO, tani po përpiqeni dhe besoj se do t’ia dilni me sukses të kapërceni të gjitha pengesat që qëndrojnë në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE. Ne ju inkurajojmë në atë rrugë”, tha Gordan Jandrokoviq

Gashi tha se fokusi i bisedimeve të tyre ishte forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar. Ai kujtoi momentin kur 12 vjet më parë Maqedonia dhe Kroacia filluan bashkërisht procesin e anëtarësimit në BE.

Jandrokoviq foli edhe para deputetëve duke i theksuar ndodhitë në skenën globale politike.

“Javët dhe muajt e fundit jemi dëshmitarë se vizioni i paqes deri rruga deri të nuk janë identike në të dy anët e Atlantikut. Kjo na thërret për të bëtë përpjekje shtesë që t’i afrojmë pozitat tona. Qëndrojmë fortë në parimet se mund të ndikohet në plan afatgjatë në të ardhmen e Ukrainës, nuk mund të flitet pa ukrainasit dhe pa fillimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, deklaroi Gordan Jandrokoviq.

Jandrokoviq zhvilloi takim edhe me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Ai dje në ambasadën e Kroacisë u takua edhe me kroatët që jetojnë në vendin tonë.