Në 33 komuna, përfshirë Qytetin e Shkupit, qytetarët votuan sot në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për të zgjedhur kryetarët e komunave, pasi në rrethin e parë asnjë kandidat nuk arriti shumicën e nevojshme. Procesi zgjedhor përfshiu mbi një milion votues të regjistruar dhe u monitorua nga mbi 1,500 vëzhgues vendas e ndërkombëtarë.

Në tri vendvotime në Shuto Orizarë u zhvillua gjithashtu rivotim për këshilltarë, ndërsa KSHZ-ja konfirmoi përfundimin pa pengesa të fazës së parë të procesit.

Avokati i Popullit mbajti të hapura linjat falas për raportim të shkeljeve, duke theksuar se e drejta e votës është e garantuar me Kushtetutë dhe çdo ndërhyrje në të përbën vepër të dënueshme.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 9:00 ishte 2.88%, në orën 13:00 19.96%, dhe deri në orën 17:00 arriti në 34.62%. Komuna me pjesëmarrjen më të ulët ishte Saraji me 8.77%, ndërsa më të lartat Konçe (64.44%), Rosoman (63.58%) dhe Dojran (62.96%). Sipas të dhënave të fundit, deri në orën 18:30 jehona e përgjithshme arriti 40.45%.

Në orën 19:00 u mbyllën të gjitha vendvotimet dhe nisi procesi i numërimit të votave, i cili po zhvillohet nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të partive dhe ekipeve të KSHZ-së.

Procesi zgjedhor në tërësi është vlerësuar si i qetë dhe demokratik, me disa raportime të izoluara për shkelje të heshtjes zgjedhore dhe probleme me listat e votuesve në disa komuna.

Televizioni Alsat vazhdoi me Studio e Hapur me gazetarët Shkëlzen Aqifin dhe Semra Musain dhe të ftuarit e tyre të cilët folën për procesin zgjedhor, si dhe për të komentuar rezultatet e para nga selitë e partive politike.

Nga subjektet politike, përfaqësuesi i BDI-së, Arbër Ademi, deklaroi se zgjedhjet ishin përballje për dinjitet dhe ndryshim, duke akuzuar për blerje votash dhe ndërhyrje shtetërore.

Ndërkohë menjëherë pas përfundimit të procesit të votimi, nga VMRO njoftuan se po udhëheqin në disa komuna, përfshirë Shkupin dhe Aerodromit, por rezultatet përfundimtare mbeten ende jozyrtare.

Në ora 20:00, Kandidati i VLEN në Tetovë, Bilall Kasami, ka shpallë fitoren atje përmes rrjetit social Facebook, dhe duke iu falënderuar edhe njëhere qytetarëve që ia dhanë edhe një mandat tjetër.

Gara për Bërvenicën vazhdonte të jetë e nxehtë, pasi që nga 83% të votave të numëruara, kandidati i VLEN për Bërvenicën i përkrahur edhe nga AKI, Haqim Ramadani, ishte në epërsi të madhe kundër kandidatit të VMRO-DPMNE-së Jovica Ilievskit.

Me 57,26 % të votave të numëruara në Studeniçan, Ejup Abazi i AKI-së prin ndaj kandidatit të pavarur Azem Sadikut, i cili u perkrah edhe nga VLEN.

Ndërsa në orën 20:30, Mendi Qyra në Strugë shpall fitoren duke thënë se dallimi është mbi 500 vota, dhe se sipas tij kjo është e mjaftueshme.

Pak minuta më vonë, fokusi u zhvendos nga Struga në Tetovë, atje ku Bajram Rexhepi i AKI-së, pranon humbjen në Tetovë, duke thënë se përgjegjësia për këtë rezultat është krejtësisht e tija. Bajrami e uroi kundër kandidatin e tij Bilall Kasamin.
Kandidati i AKI-së për komunën e Kërçovës, Fatmir Dehari përmes një statusi në facebook pranoi humbjen në këtë komunë nga ana e Aleksandar Jovanovskit të VMRO-DPMNE-së.
Në orën 21:00, në web faqen e KSHZ-së, doli rezultati për Bërvenicën, ku Jovica Ilievski i VMRO-DPMNE fiton komunën me 145 vota më shumë se Haqim Ramadani.
Rezultatin e kishte pranuar edhe Kandidati për Bërvenicën, Haqim Ramadani, në një postim në Facebook, duke thënë se “Në jetë mund të humbësh betejën zgjedhore, por të fitosh zemrën e shqiptarëve nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria”.
Bilall Kasami në paraqitjen e tij të parë sonte deklaroi se BDI dhe AKI kanë mbetur me disa komuna rurale dhe se VLEN është subjekti i dytë në vend me numër të komunave.
Në orën 21, kandidadti i VMRO-DPMNE-së për Shkupin, Orce Gjorgjievski hyri simbolikisht në Portën e Triumfit, duke shpallë kështu fitoren në kryeqytet, duke e mundur kështu kandidatin nga E Majta, Amar Mecinoviq.

Përderisa Adnan Azizi në një paraqitje për media, kërkonte që Ali Ahmeti të jepte dorëheqje, kreu i AKI-së, po ashtu në një konferencë për media tha se e pranojnë rezultatin dhe se pavarësisht se nuk fituan garën për kryetar komunash, ata kanë fituar votat kombëtare.

“Rezultatet janë tashmë të njohura, ne kemi fituar shumicën e votës popullore në mbarë vendin, apo më mirë të thuhet të votës kombëtare në këto zgjedhje, me mbi 23 mijë vota më shumë, por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar komunash, ky është një mesazh që ne e pranojmë“, tha Ali Ahmeti.

Ndërsa kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në një konferencë për media tha se VMRO është subjekti që fitoi më së shumti komuna, ku mes tjerash theks të veçant i shtoi Kërçovës, duke thënë se ” Fituam Kërçovën tonë”.

Maksim Dimitrievski, kryetari aktual i Kumanovës, feston fitoren zgjedhore me Lëvizjen ZNAM dhe VMRO-DPMNE. Ai e cilësoi rezultatin si fitore të qytetarëve, falënderoi për mbështetjen dhe pranoi urimin nga kundërkandidati.

Pas numrit të gjithë votave në Studeniçan, kandidati i AKI-së, Ejup Abazi ka mposhtur kandidatin e pavarur Azem Sadikun, të përkrahur nga VLEN.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut u zhvillua në mënyrë të qetë dhe demokratike, pa incidente të mëdha që do të ndikonin në mbarëvajtjen e procesit.

Pavarësisht disa parregullsive të izoluara dhe pretendimeve të partive për shkelje zgjedhore, dita e votimit u karakterizua nga transparenca dhe angazhimi i lartë institucional.

Procesi i numërimit po vijon nën mbikëqyrjen e KSHZ-së dhe vëzhguesve të akredituar, ndërsa rezultatet e para jozyrtare kanë nisur të formësojnë hartën e re politike lokale të vendit.

Rezultatet zyrtare priten pas orës 23:00 nga KSHZ.

Këto zgjedhje konfirmuan pjekurinë demokratike të qytetarëve dhe rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në vendimmarrjen lokale./Alsat.mk

The post Përmbledhje Ditore – Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut appeared first on Alsat.