Rasti i Alta Bankës ka përplasur dy partitë shqiptare. BDI ka hedhur poshtë pretendimet se vendimi i vitit 2023, ndërkaq nga VLEN ka reaguar duke kërkuar sqarim për siç thonë, “lidhjet e BDI-së me botën financiare serbe”.
Reagimi i plotë i BDI-së:
Pretendimet që po bëhen për vendimin e vitit 2023 janë një gënjeshtër e plotë dhe një manipulim i paskrupullt!
Përkundrazi, vendimi i vitit 2023 kishte pikërisht qëllimin e kundërt: të mos lejohej shitja pa autorizim e pronës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo është krejtësisht e kundërta e asaj që bën Qeveria e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it në vitin 2025, kur me vendimin e saj i obligon institucionet e shtetit të vihen në shërbim të hyrjes së Alta Bankës dhe Davor Macurës në Stopanska Banka – Manastir.
Pra, jo vetëm që nuk bëhet fjalë për të njëjtën çështje, por për dy vendime me qëllime diametralisht të kundërta. Njëri mbronte pronën shtetërore, ndërsa tjetri vë institucionet e shtetit në shërbim të një transaksioni privat.
Kot tentoni të na e faturoni neve atë që e keni bërë vetë. Përgjegjësinë mbajeni vetë, sepse kjo gënjeshtër dhe kjo lojë e ulët politike nuk ju kalon!
___________________________________________________
Reagimi i plotë i VLEN-it:
VLEN: Të shqetësuar dhe të neveritur nga skandali Alta Banka, BDI-ja të sqarojë lidhjet financiare me botën serbe
Sot, opinionin publik e tronditën informacionet për lidhjet financiare mes kompanive të afërta me rrethin familjar të Ali Ahmetit dhe Alta Bankës së Beogradit. Këto zhvillime ngrenë pikëpyetje serioze për rolin e BDI-së, ish-ministrit të Financave Fatmir Besimi dhe transaksionet që kërkojnë përgjigje urgjente.
Në vitin 2023, me propozimin e F.B., atëherë ministër i Financave, Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së i dha miratim Zyrës së Avokatit të Shtetit të vepronte lidhur me shitjen e aksioneve shtetërore në Stopanska Banka Bitola, e cila më pas u ble nga Alta Banka.
Ndërkohë, kompania AS Senjak, për të cilën në opinion janë ngritur pretendime për lidhje familjare me Ali Ahmetin, rezulton të jetë përfshirë në disa transaksione që kërkojnë hetim të plotë: në tetor 2024 fitoi aksione në Stopanska Banka Bitola, në qershor 2025 një kompani ku është bashkëpronare mori kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka, ndërsa në shtator 2025 aksionet e saj në këtë bankë iu shitën pikërisht Alta Bankës.
A.A. dhe BDI-ja duhet të përgjigjen: çfarë lidhjesh kanë me pronarin e AS Senjakut dhe a kanë qenë në dijeni për këto transaksione? Edhe roli i F.B. në vendimet e vitit 2023 duhet të shqyrtohet nga organet kompetente.
Për vite me radhë, BDI-ja e përdori patriotizmin si mburojë politike. Sot, kur shtrohen pyetje për marrëdhëniet financiare me botën e biznesit serb, në vend të përgjigjeve zgjedh të sulmojë për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe përfaqësimin e drejtë.
Por për gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve ka kush kujdeset. VLEN-i po i zgjidh këto çështje përmes ligjit dhe vendimeve konkrete. Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe po bëhet realitet, ndërsa BDI-ja nuk mund ta përdorë këtë arritje si pretekst për t’iu shmangur pyetjeve për Alta Bankën.
VLEN kërkon që Prokuroria të hetojë të gjitha transaksionet dhe rolin e personave të përfshirë. Patriotizmi nuk mund të shërbejë si mburojë për interesa private. Shqiptarët meritojnë përgjigje, jo heshtje dhe diversion politik.
