Dy helikopterë zjarrfikës janë përplasur në ajër në perëndim të Athinës teksa po luftonin me vatrat e zjarrit.

Sipas shërbimit zjarrfikës grek, dy helikopterët e tipit Bell, të marrë me qira nga departamenti i zjarrfikësve kishin në bord katër anëtarë ekuipazhi në total. Përplasja ndodhi ditën e diel në zonën e Psathas, gjatë operacioneve ajrore për shuarjen e flakëve.

Në pamjet që qarkullojnë në rrjete sociale shihet njëri prej helikopterëve që shpërtheu dhe ra në tokë i përfshirë nga flakët, pas asaj që duket se ishte një përplasje e helikave.

Ekipet e kërkim-shpëtimit u mobilizuan menjëherë për të lokalizuar ekuipazhet.

Helikopterët ishin nisur nga aeroporti ushtarak i Elefsinës, brenda zonës metropolitane të Athinës.

Zjarrfikësit grekë po luftonin gjithashtu të dielën për të izoluar një tjetër vatër zjarri rreth Porto Germenos në Gjirin e Korintit, ku flakët kaluan malin dhe arritën në një fushë qitjeje ushtarake, duke aktivizuar municione të pashpërthyera.