BDI dhe VLEN përplasen për bulevardin “Hasan Prishtina”, përkatësisht hyrjen nga drejtimi i Kosovës në Shkup. BDI thotë se autostrada pa këtë lidhje do të mbetet e cunguar dhe akuzon VLEN-in se, në vend që të vazhdojë projektet e përgatitura më herët, po i ndryshon prioritetet.
Nga partia blu thonë se gjatë qeverisjes së tyre ishin siguruar 6 milionë për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina”, ndërsa akuzon VLEN-in se paratë po i orienton drejt një projekti tjetër në qendër të Shkupit.

“Në vend që këto mjete të përdoren për realizimin e këtij projekti strategjik, VLEN po i largon ato dhe po i orienton drejt një projekti tjetër në qendër të Shkupit. Kjo është dëshmi e qartë e paaftësisë për të kuptuar dhe realizuar projekte strategjike, por edhe e hipokrizisë së tyre ndaj lidhjes Shkup- Bllacë”, thonë nga BDI.

Por VLEN e sheh situatën kr ejt ndryshe. Nga kjo parti thonë se BDI-ja për dy dekada ka premtuar projekte infrastrukturore, ndërsa sot, sipas tyre, dallimi është se projektet kanë kaluar nga premtime në ndërtime.

“BDI-ja sërish del të mburret me “sigurimin” e parave dhe projekteve, ndërsa qytetarëve u ofron të njëjtën histori që e kanë dëgjuar për 20 vjet. Për dy dekada, BDI-ja premtoi projekte, paralajmëroi autostrada, projektoi rrugë dhe fliste për investime. Por në fund, qytetarëve u mbetën premtimet, ndërsa elitës partiake privilegjet”, theksojnë nga VLEN.

Ndryshe, rruga “Hasan Prishtina”, e njohur si Rruga e Kaçanikut, vazhdon të mbetet një nga pikat problematike të qarkullimit mes Shkupit dhe Kosovës. Nga Qyteti i Shkupit për TV21 më herët kanë deklaruar se fokusi aktual është te nyja e Momin Potokut dhe segmenti deri te Bulevardi “Sllovenia”, ndërsa paralelisht po përgatitet dokumentacioni për zgjerimin e bulevardeve “Cvetan Dimov” dhe “Brigada e Kosovës”. Pas përfundimit të këtyre projekteve, është paraparë të shqyrtohet edhe rikonstruksioni i plotë i rrugës në Vizbeg.