Tensionet në Gjirin Persik janë përshkallëzuar sërish, pasi Irani ka njoftuar se ka shënjestruar instalimet amerikane të dronëve dhe raketave në bazën Ali Al Salem në Kuvajt. Sulmi erdhi pas goditjeve ajrore amerikane ndaj një pozicioni për lëshimin e raketave në ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas ushtrisë iraniane, objektivat në Kuvajt janë goditur gjatë natës, ndërsa autoritetet kuvajtiane njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore po përballeshin me sulme me dronë. Ky është sulmi i parë iranian ndaj Kuvajtit që nga shtatori.

Sulmet amerikane në ishullin Qeshm u kryen të martën në mbrëmje. Një zyrtar ushtarak amerikan i tha Reutersit se avionët luftarakë kishin shënjestruar një pozicion për lëshimin e raketave, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër personelit dhe aseteve amerikane.

Ndërkohë, mediat iraniane, duke cituar një zyrtar të vendit, raportuan se sulmi amerikan nuk kishte shkaktuar dëme në infrastrukturë.

Ushtria amerikane bëri të ditur se asnjë pjesëtar i saj nuk është plagosur nga sulmet e tentuar iraniane gjatë kësaj jave dhe se të gjithë ushtarët janë të sigurt.

Përshkallëzim i situatës është raportuar edhe në Bahrein. Autoritetet e këtij vendi njoftuan se të mërkurën kanë parandaluar sulme ajrore iraniane për herë të tretë brenda një jave, duke e akuzuar Teheranin për një qasje sistematike armiqësore ndaj mbretërisë.

Në Bahrein ndodhet edhe selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane, çka e bën këtë shtet një pikë të rëndësishme strategjike për praninë ushtarake të SHBA-së në rajon.

Nga ana tjetër, Kuvajti paralajmëroi se rezervon të drejtën të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sovranitetit, territorit dhe objekteve jetike të vendit.

Zhvillimet e fundit po vështirësojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit, i cili ka destabilizuar Lindjen e Mesme, ka penguar transportin detar dhe ka ndikuar në rritjen e çmimeve globale të energjisë.

Ndërkohë, komandanti i ushtrisë iraniane, Amir Hatami, në një video të publikuar nga mediat shtetërore, ka përcjellë një tjetër paralajmërim ndaj Shteteve të Bashkuara.