Gazetar: Zekirija Haxhiu

Në Ministrinë e Drejtësisë në periudhën që vjen duhet të vazhdojë mbledhja konstituive e grupit të punës që duhet të diskutojë për Kodin e ri Zgjedhor pasi të premten mbledhja u ndërpre ende pa filluar mirë. U anulua pasi materialet ishin vetëm në maqedonisht. Nuk u zgjodh kryetari i grupit të punës, nuk u miratua as rendi i ditës e as rregullorja e punës.

“Materiali për seancën konstituive  të Grupit të punës për reforma në legjislacionin zgjedhor është përkthyer. Vazhdimi i seancës konstituive do të caktohet pasi që të harmonizohet termini i mbajtjes së saj me të gjithë anëtarët e Grupit të punës, për të cilën  do të informoheni me kohë”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Kërkesat e partive politike janë të ndryshme por ajo për të cilën thuajse të gjitha pajtohen, është që nga gjashtë, të kalohet në vetëm një njësi zgjedhore. E vetmja që kërkon 8 njësi zgjedhore është Aleanca për Shqiptarët, të dy krahët. Bashkë me një njësi zgjedhore, mund të kalohet edhe me lista të hapura ku çdo qytetar do të ketë mundësinë të votojë për pesë kandidatë për deputetë.

Ajo për të cilën partitë kanë mendime të ndara është pragu zgjedhor. Qarkullon ideja për vendosjen e pragut prej 5% nga numri i përgjithshëm i votuesve, por në këtë rast, përsëri do të favorizoheshin vetëm partitë më të mëdha. Bazuar në numrin e votuesve nga lista zgjedhore e cila shënon 1,8 milion, kjo do të thotë se partitë politike në zgjedhjet parlamentare do të duhet të sigurojnë së paku 90 mijë vota për të siguruar ulëse në Kuvend.

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare, pragun prej 5% do ta kalonin vetëm VMRO-DPMNE, LSDM, Fronti Evropian dhe VLEN. Të tjerat do të ngelnin pa deputetë. Partia ZNAM propozon që pragu të vendoset në 2-3%.

Një propozim i ardhur në prag të mbledhjes të grupit të punës është edhe ulja e numrit të deputetëve, nga 120 në 90. Propozimi vjen nga Lëvizja ZNAM por për këtë paraprakisht janë pajtuar edhe LSDM edhe VMRO. Kundër publikisht janë shprehur partitë shqiptare, VLEN dhe BDI.

Në mbledhjen e grupit të punës, BDI do të kërkojë që detyrimisht të bëhet pastrim total i listës zgjedhore pasi siç konsiderojnë, në listë figurojnë mijëra qytetarë të vdekur. Do të kërkojnë gjithashtu që KSHZ doemos të vendosë anëtarë komisioni për të kontrolluar vendvotimet në zonat lindore që tani llogariten si zona 3 dhe 4 e ku nuk është i theksuar përfaqësimi etnik i shqiptarëve./ Alsat.mk

The post Përplasje mes partive për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, mungon konsensusi për pragun dhe monitorimin appeared first on Alsat.