Disa qindra persona, kryesisht të rinj, protestuan sot në qendër të Brukselit, ku pati përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Trazirat janë nxitur pjesërisht edhe nga protestat në Francën fqinje.

Studentët belgë shpjeguan se po protestojnë kundër rritjes së kostove të arsimit dhe reformave, duke shprehur frikën se këto ndryshime do ta bëjnë arsimin e lartë më pak të qasshëm.

Shumë prej protestuesve mbanin maska dhe brohorisnin slogane antifashiste. Sipas dëshmitarëve okularë, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa disa nga demonstruesit përmbysën një veturë.

Ministri i Brendshëm i Belgjikës, Bernard Quintin, deklaroi në një postim në platformën X se “ajo që po ndodh në Bruksel nuk është më një protestë e zakonshme”, duke shtuar se “do të përdoren të gjitha mjetet e nevojshme për rivendosjen e rendit dhe për t’u përballur me demonstruesit”.

Protesta u mbajtën edhe në Liège, qytet në lindje të vendit. Në fillim të këtij muaji, studentët atje protestuan kundër gjendjes së sistemit arsimor në gjuhën frënge, duke vënë në dukje rritjen e kostove të arsimit dhe vështirësitë në sigurimin e materialeve mësimore.