Gazetar: Angell Dimovski
Debati për Buxhetin e 2026 në Kuvend, në fazë përfundimtare. Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, thotë buxheti është përgatitur në bazë të rezultateve të arritura ekonomike dhe pritjeve për vazhdimin e trendeve pozitive.
“Ne morëm parasysh realitetin në parashikime, ekonominë dhe efektivitetin në planifikim, me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm, funksionimin e rregullt të institucioneve dhe pagesën në kohë të të gjitha detyrimeve. Ky buxhet nuk është vetëm një dokument me numra dhe tabela është një mesazh ekonomik i stabilitetit, besimit dhe zhvillimit. Konfirmim i qartë i menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike, që ne kemi krijuar dhe po vazhdojmë ta bëjmë këtë me kapacitet të plotë”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska – ministre e Financave.
Deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi e vlerësoi buxhetin si të imponuar, duke thënë se për herë të parë deputetët u përballën me një buxhet që u përgatit prapa dyerve të mbyllura.
“Kur e them i imponuar, nuk e them këtë për të tingëlluar e ashpër, por për të qenë i saktë në përshkrimin e procesit me të cilin u miratua propozimi i buxhetit për vitin 2026 në seancën e sotme. Përdoruesit e buxhetit paraqitën parashikimet dhe argumentet e tyre, por askush nuk i thirri seriozisht për harmonizim, seancat dëgjimore amë u anashkaluan, dokumenti lëvizte nëpër korridoret qeveritare në një procedurë të shkurtuar për ta kthyer përfundimisht buxhetin e vitit të ardhshëm në një kuti të zezë, e cila do të gëlltisë paratë e qytetarëve pa dialog dhe një rezultat të qartë ekonomik të zhvillimit”, tha Fatmir Bytyqi – LSDM.
Gjatë debatit për buxhetin në Komisionin parlamentar të Financave dhe Buxhetit nga rreth 200 amendamente, u pranuan vetëm gjashtë. Në Buxhetin e vitit të ardhshëm të ardhurat e planifikuara arrijnë në rreth 6 miliardë euro, ndërsa shpenzimet në 6.7 miliardë euro. Kostot janë më të larta për rreth 169 milionë euro krahasuar me këtë vit. Parashikohet një rritje e fondeve për pensionet, pagat në administratë dhe për kujdesin social, për të cilat janë alokuar mbi 195 milionë euro. Parashikimet pritet të realizohen në kushtet e rritjes reale të Prodhimit Bruto Vendor prej 3.8 për qind dhe inflacionit prej rreth 2.5 për qind./ Alsat.mk
The post Përplasje në Kuvend për Buxhetin e vitit të ardhshëm appeared first on Alsat.
