Gazetare: Fatlume Dervishi

BDI-ja kërkon dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari pas qëndrimit të tij për vendimin ndaj ish krerëve të UÇK-së. Edhe në seancën për pyetjet e deputetëve, partia opozitare kërkoi që Sashivari të sqarojë se cili ishte qëndrimi i tij duke e akuzuar për dëm ndaj shqiptarëve dhe servilizëm. Ministri tha se mesazhi i tij kishte qenë profesional dhe institucional dhe akuzoi opozitën për shtrembërim.

“Një mesazh i imi institucional, mesazh evropian për maturi shtetërore, për qetësi u shtrembërua për qëllim të manipulimit politik me të. Para shpalljes së aktgjykimit kam thënë drejt se çfarëdo që të jetë vendimi duhet të respektohet sepse palët e kanë të drejtën e ankesës. Të thuash të respektohet një vendim që është qëndrim edhe i bashkësisë ndërkombëtare, sidomos ne juristët e dimë, se nuk d.m.th. të pajtohesh me përmbajtjen e tij por d.m.th. të shfrytëzohet ankesa si mjet i rregullt juridik”, deklaroi ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari.

“Më mirë do të ishte të heshtni për këto çështje sesa të jepni deklarata të tilla skandaloze, sepse opnioni është skandalizuar nga kjo deklaratë e juaja. Populli nuk mendon si ju dhe fatmirësisht që nuk mendon si ju sepse ju i keni bërë keq këtij populli, i keni bërë shumë dëm këtij populli me deklarata tuaja të servilizmit dhe të relativizimit që po e shohim nga këta përfaqësues jolegjitim shqiptar në këtë qeveri. Dhe unë uroj që do të jeni prezent në marshin protestues që do të organizohet në sheshin Skenderbeu në Shkup më datë 27 shtator. Uroj dhe qytetarët presin t’ju shohin atje”, tha deputetja e Frontit Evropian Rina Ajdari.

“Pse ajo që sot BDI-ja e quan të papranueshme nuk ishte e tillë kur kryetari i këtij subjekti politik e mbështeste fuqimisht, lobonte fuqishmisht në Kuvendin e Kosovës që të formohet kjo Gjykatë Speciale. Madje këtë pyetje duhet të ja bëni dhe kryetarit tuaj se ai ka dëshmuar në këtë gjykatë. Ai ka dhënë dëshmi te dhomat e specializuara, çfarë ka dëshmuar? Cila ka qenë dëshmia e tij?”, shtoi ministri Shasivari

Në seancën për pyetjet e deputetëve sot munguan një pjesë e madhe e ministrave si dhe vetë kryeministri të cilët janë në udhëtim zyrtar, kryesisht në SHBA. Deputetët e opozitës thanë se pushteti shmang qëllimisht pyetjet meqë seanca ka pasur mundësi të zhvendoset për një ditë tjetër./Alsat.mk

The post Përplasje në Kuvend, Shasivari: Deklarata u shtrembërua / Ajdari: Ishte skandaloze appeared first on Alsat.