Pretendimi i Gani Gecit se e ka telefonuar Glauk Konjufca, për ta pyetur se çfarë kërkon në këmbim të votës së vajzës së tij për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ka shkaktuar reagimin e Faton Pecit, i cili tha se nuk është mirë që të publikohen të gjitha bisedimet dhe se duhet të ketë diskrecion në politikë.
“Një mesazh miqësor për z. Gani Geci, komunikimet që ndodhin edhe me sms, edhe me thirrje telefonike në ploitike nuk është pjekuri politike që të gjitha të shfaqen në opinion edhe në media, ta zëmë, ja unë po ju tregoj në kuptimin, ju mund ta pyesni z.Gani Geci a i ka dërguar ndokujt nga koalicioni LVV, Guxo, Alternativa ndonjë sms, ku e ka shprehur simpatinë dhe vullnetin e tij që të ketë një partneritet edhe bashkëpunim”, tha Peci.
I menjëhershëm ishte reagimi i Gani Gecit, i cili tha se Lista Gucxo po mundohet të gënjejë, por që s’po munden.
“Kur ka dalë me një konferencë për shtyp se ai po do me i kthyer pronat e Ministrisë së Bujqësisë, gjegjësisht të Pylltarisë, unë i kam dërguar sms atij dhe ia kam dërguar disa prona të uzurpuara, që kam dyshuar që janë të uzurpuara në territorin e Drenicës dhe nuk më është përgjigjur. Sido që të jetë, unë tentova që t’i shoh ata sms, por ai e kishte fshirë edhe numrin edhe sms. Unë nuk jam ai që i çoj dikujt sms për bashkëpunim, kurrë në jetë. Unë kam menduar se Lista Guco janë me LDK-në, tash po shihet se ata janë japanxhe e LVV-së dhe japanxhe e marksist-leninistëve të Kosovës”, tha Geci.

