Pushteti dhe opozita në përplasje të hapur politike rreth miratimit të Kodit të ri Zgjedhor, i cili hyri në procedurë parlamentare me procedurë të shkurtuar. Në përpjekje për ta deblokuar, koordinatorët e grupeve parlamentare u ulën sot në një tryezë të përbashkët, në përpjekje për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet. Nga LSDM-ja edhe sot njoftuan hapur se do ta bllokojnë Kodin Zgjedhor, duke paralajmëruar se do të paraqesin 10 mijë amendamente.
“Mickoski thotë se Qeveria ka pranuar të gjitha propozimet e opozitës. Kjo nuk është e vërtetë. Nuk dimë kë ka parasysh, sepse LSDM-ja dhe njerëzit rreth Frontit për Të Vërtetë dhe Drejtësi janë opozita e vetme reale në Maqedoni. Gjithçka tjetër është teatër. LSDM-ja e bllokon ligjin për të penguar grabitjen zgjedhore dhe sepse refuzon të marrë pjesë në një ligj tjetër të prerë sipas masës së grupit kriminal të organizuar VMRO, në një moment kur Qeveria nuk ka përmbushur asnjë kusht serioz reformues drejt BE-së”, thonë nga LSDM-ja.
Bllokim të Kodit Zgjedhor njoftuan edhe nga Levica.
“Qytetarët duhet ta dinë se rregullat e lojës i përcakton Kodi Zgjedhor. Momentalisht VMRO-DPMNE po përpiqet të miratojë një Kod Zgjedhor jashtëzakonisht autoritar dhe jodemokratik, sepse për çështjet për të cilat u diskutua dhe për të cilat nuk kishte konsensus, tani po shfaqen sërish — siç është votimi i diasporës, që duhet të problematizohet”, u shpreh Amar Mecinoviq nga Levica.
Nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM-ja dhe Levica së bashku po bllokojnë Kodin Zgjedhor, të cilin e kanë negociuar me muaj dhe në të cilin, siç thonë, partia në pushtet ka pranuar gjithçka që ata kanë propozuar.
“I drejtojmë mesazh të qartë Lidhjes Socialdemokrate dhe Levicës që të propozojnë amendamente me të cilat kërkojnë korrigjim të mënyrës së rrethimit dhe paraqitjes së ankesave, dhe t’i tërheqin amendamentet e tjera, dhe së bashku me konsensus ta miratojmë këtë Kod Zgjedhor. Diaspora jonë ka të drejtë të marrë pjesë në mënyrë elektronike në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në kohën kur inteligjenca artificiale ka rol kyç”, potencoi Valentin Manasievski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nga BDI-ja thonë se nevojitet jo vetëm konsensus politik, por edhe etnik. Që andej shtojnë se propozimet e tyre të dorëzuara nga grupi punues janë të gjitha të pranuara, përveç asaj për një njësi zgjedhore, lista të hapura me prag prej 5 përqind.
“Për miratimin e Kodit Zgjedhor nevojitet konsensus etnik dhe politik. Pa konsensus etnik dhe politik nuk mund të miratohen rregulla që vendosin rregullat për zgjedhjet, qofshin ato parlamentare, qofshin lokale apo presidenciale. Kështu që ne qëndrojmë në qëndrimin se për çfarëdo ndryshimi të Kodit Zgjedhor nevojitet konsensus etnik dhe politik”, deklaroi Arbër Ademi – sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.
Vërejtjet e opozitës janë votimi elektronik i diasporës pa mekanizma kontrolli, ndryshimi i mënyrës së shënimit të fletëvotimit, kufizimi i ankesave vetëm tek ato të theksuara në procesverbal, pastaj vërejtje për nenin me të cilin parashikohen gjoba deri në 8 mijë euro për publikime në rrjetet sociale, si dhe financimi i fushatave zgjedhore.
