Aktori dhe këngëtari turk, Ozcan Denis, aktorja Deniz Çakir dhe Burcu Ozberk si dhe regjisori Cem Karci janë në mesin e  24 personave të arrestuar më 24 nëntor, si pasojë e hetimeve  të reja për lëndë narkotike i cili ka në shënjestër personazhe të njohura në Stamboll.

Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka lëshuar urdhër-arreste për 35 të dyshuar, në kuadër të një hetimi të zhvilluar në Byroja për Hetimin e Krimit të Organizuar, Narkotikëve dhe Krimeve Ekonomike. Autoritetet kanë bërë të ditur se 24 prej të dyshuarve janë arrestuar.

Sipas raportimeve, hetimi është mbështetur në deklaratat e të dyshuarve, dëshmitë e dëshmitarëve, raportet e ekzaminimeve forenzike të telefonave celularë dhe materialeve të tjera digjitale të sekuestruara, si dhe në dëshmitë e dhëna nga dëshmitarë konfidencialë, shkruan Hurriyet.

Prokuroria ka bërë të ditur se urdhër-arrestet janë lëshuar pas dyshimeve për përdorim ose posedim të lëndëve narkotike. Ajo ka shtuar se hetimet po vazhdojnë në të gjitha aspektet.

Personat e ndaluar në operacionet kundër drogës zakonisht dërgohen fillimisht në spital për ekzaminime mjekësore, para se të transferohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku u merren mostrat për testet e drogës. Më pas, ata dërgohen në gjykatë për të dhënë deklarata para prokurorëve, të cilët vendosin nëse do të lirohen apo do të dërgohen para gjykatës.

Operacioni i fundit është pjesë e një hetimi më të gjerë për përdorimin e dyshuar të drogës nga persona të njohur, i cili ka nisur më 8 tetor 2025. Që nga ajo kohë, muzikantë, menaxherë, biznesmenë dhe figura të tjera publike janë marrë në pyetje dhe u është kërkuar të japin mostra gjaku dhe flokësh për analiza.