Sot bëhen pesë vjet nga zjarri në spitalin modular Covid në Tetovë, ku humbën jetën 14 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Nga viktimat, 12 ishin pacientë që po trajtoheshin për Covid-19, dhe dy ishin të afërm të tyre të ngushtë.

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, drejtorët e spitalit të Tetovës, Florian Besimi dhe Artan Etemi, u dënuan me tre vjet burg për krime të rënda kundër sigurisë publike, ndërsa subjekti juridik Spitali Klinik u gjobit me një milion e treqind mijë euro.

Në gusht të këtij viti, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit mbylli hetimin për prokurimet publike që lidhen me ndërtimin e 19 spitaleve modulare në Maqedoni, duke vlerësuar se nuk ka baza për dyshim për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar ose për ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.