Peticionit të banorëve të Kosturnikut iu bashkëngjitën edhe qytetarë të tjerë të Kumanovës. Nisma për mbledhjen e nënshkrimeve kundër mbylljes së shkollës fillore të fshatit erdhi pasi që drejtoria qendrore e Tabanocës i ka informuar arsimtarët për mbylljen eventuale nga shtatori.

“Nuk është në rregull, ata mezi e kanë hap shkollën e tani me mbyllë, nuk ka mend! Fëmijët e vegjël nuk mund të shkojnë në Kumanovë, ata më të mëdhenjtë po, kurse të vegjlit nuk mund të shkojnë aq larg. Edhe këtu afër shtëpive s’mund të shkojnë pa e çu nëna ose babai, jo se me shku më larg në Kumanovë. Kjo duhet menduar mirë dhe mos ta bëjnë atë veprim”, tha Sahit Qerimi, banor.

“Padyshim se nuk duhet të mbyllet sepse me djersën e vet banorët e kanë hapur me mjetet e tyre këtë shkollë, dhe të mbyllet assesi! Iu bëj apel që seriozisht të merren me këtë çështje dhe tu mundësojmë fëmijëve këtu të mësojnë e të shkojnë në shkollë afër shtëpive të tyre, e jo të mbyllen shkollat, pavarësisht sfidat që janë ata duhet të bëjnë përpjekje për me vazhdu këtu”, tha Rexhail Aziri, qytetar

Kritika të ashpra nga banorët pati ndaj pushtetit lokal dhe pushtetit qendror, të cilët sipas tyre, me mbylljen e shkollës, po detyrojnë banorë ta braktisin fshatin.

“Unë edhe në këto momente nuk ndihem mirë për shkak se flitet që nëse jo tash, mbas 5 viteve do të mbyllet shkolla e fshatit Kosturnik nëse numri i nxënësve vazhdon të bie. Nëse shkolla mbyllet, unë jam i detyruar të iki jashtë vendit edhe pse isha një kohë në Gjermani e u ktheva shkaku që fëmijët e mi të mësojnë në vendlindje dhe të jenë afër familjes së tyre”, deklaroi Hajdin Azemi, prind.

Nga një takim joformal që kryesia e fshatit të premten e pati me përfaqësues komunal, dolën premtimet që ky vendim të prolongohet dhe të shqyrtohet në instanca më të larta ministrore.
Nga Sektori për Arsim në Komunën e Kumanovës thonë se janë kundër çdo vendimi për mbyllje të shkollave fillore që gravitojnë në këtë komunë, dhe se presin nga Ministria Arsimit që të miratojnë edhe për vitin e ri shkollorë paralelet e shkollave të qytetit por edhe të fshatrave.

“Deri më 01.06.2026, në klasën e parë të 16 shkollave fillore janë regjistruar gjithsej 863 nxënës. Nga numri i përgjithshëm i nxënësve, 772 nxënës janë regjistruar në shkollat qendrore dhe 91 në shkollat rajonale, në gjithsej 18 shkolla rajonale. Në përputhje me situatën numerike në shkolla dhe sipas udhëzimeve për optimizimin e rrjeteve shkollore të marra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, janë dorëzuar kërkesa për formimin e paraleleve edhe që janë më pak se 20 nxënës, me një plan të hartuar më parë për optimizimin e numrit të nxënësve në secilën shkollë si person juridik individualisht”, tha Sektori për Arsim në Komunën e Kumanovës

Sikurse shkolla e Kosturnikut në rrezik për mbyllje janë edhe disa shkolla tjera, në gjithë vendin paralajmërim ky nga Ministrja Janevska për riorganizim sistemit arsimor fillorë dhe të mesëm.