Plan për nismat e veçanta në drejtim të rritjes së konsumit

Kina publikoi të dielën një plan nismash të veçanta për të nxitur konsumin, ndërsa po përpiqet për ta bërë kërkesën e brendshme forcën kryesore dhe shtyllën e rritjes ekonomike.

Plani, i publikuar nga Zyra e Përgjithshme e Komitetit Qendror të PKK-së dhe Zyra e Përgjithshme e Këshillit të Shtetit, qeveria qendrore kineze, synon të rrisë fuqishëm konsumin, të stimulojë në mënyrë të gjithanshme kërkesën e brendshme dhe të shtojë fuqinë e shpenzimeve nëpërmjet ngritjes së të ardhurave dhe uljes së barrës financiare.

Dokumenti synon gjithashtu të krijojë kërkesë efektive nëpërmjet ofertave me cilësi të lartë, të përmirësojë mjedisin e konsumit për të forcuar gatishmërinë e konsumatorëve për të shpenzuar dhe të zgjidhë kufizimet e dukshme në konsum.

Plani, i përbërë nga tetë pjesë kryesore, kërkon një zgjidhje tërësore, duke trajtuar njëkohësisht faktorë si shtimi i të ardhurave, rritja e cilësisë së konsumit të shërbimit, ngritja e nivelit të konsumit të produkteve të shtrenjta dhe përmirësimi i mjedisit të konsumit.

Ai synon të promovojë rritjen e arsyeshme të pagave me anën e forcimit të mbështetjes së punësimit sipas gjendjes ekonomike dhe përmirësimit të mekanizmave të rregullimit të pagës minimale. Kina do të zgjerojë kanalet e të ardhurave nga prona nëpërmjet masave për të stabilizuar tregun e aksioneve dhe për të zhvilluar më shumë produkte bonosh të përshtatshme për investitorët individualë.

Plani kërkon gjithashtu eksplorimin e mënyrave për nxjerrjen e vlerës së shtëpive të ligjshme të fermerëve nëpërmjet marrëveshjeve të qirasë, pjesëmarrjes në aksione dhe modele të bashkëpunimit.

Në plan theksohet veçanërisht rëndësia e dy sektorëve tradicionalë të konsumit, siç janë strehimi dhe automjetet, duke spikatur gjithashtu edhe zhvillimin e konsumit në kategoritë e reja, si produktet e inteligjencës artificiale, e ashtuquajtura ekonomi e lartësisë së ulët, si edhe “turizmi i argjendtë”, siç quhet turizmi i të moshuarve.

Kina do të përshpejtojë zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive dhe të produkteve të reja, duke përfshirë drejtimin autonom të automjeteve, pajisjet e mbajtshme inteligjente, videot me qartësi ultra të lartë, ndërlidhjen tru-kompjuter, robotikën dhe printimin 3D, për të krijuar në këtë mënyrë sektorë të rinj të konsumit me rritje të lartë.