Ka mbi dy vite që është nisur, por ende larg përfundimit. Ky është bulevardi “Boris Kidriç” në Tetovë. Banorët e zonës ankohen për vonesat dhe thonë zvarritja e përfundimit të projektit po u shkakton telashe. Pluhuri që ngrihet është problemi kryesor me të cilën përballen. Mungesa e ndriçimit, gropat e hapura dhe mbeturinat që mblidhen në mes të bulevardit, e rëndojnë edhe më shumë gjendjen. Përveç vonesës, qytetarët kanë ankesa edhe për planifikimin dhe idenë e shëtitores dhe trotuareve të ngushta.
-Kjo duhej të rregullohej menjëherë së bashku me rrugën të shkonte, të paktën tampon të shtrohej. Këtu tash me gropa me mbeturina, era kur fryn ngrihet shumë pluhur.
-Sa për planifikim, mua personalisht nuk më pëlqen. Sepse unë jam gjyshe dhe kemi fëmijë të vegjël, me karroca kur kalohet mesi, andej vetura këtej vetura. Nuk e di se si është menduar por shpresoj që nëse asgjë tjetër të ndriçohet të paktën sepse natën është shumë terr dhe është rrezik për kalim. Trotuari është shumë i ngushtë, edhe atë e kam si vërejtje. Mirë që ka drurë dhe shteg për biçikleta. Nuk e di se si do ia arrijnë ta bëjnë edhe për biçikleta edhe për këmbësorë, por do të shohim.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, thotë se shumë shpejtë do të rinisin punimet dhe se bulevardi do të përfundojë më së voni brenda verës.
“Edhe aty besoj që shpejtë do të nisin punimet për rregullimin e shtegut të këmbësorëve apo pjesës qendrore të bulevardit. Besoj që brenda verës edhe ajo pjesë e bulevardit “Boris Kidriç” do të jetë në shërbim të qytetarëve”, theksoi Bilall Kasami – kryetar i komunës së Tetovës.
Kujtojmë se fillimi i ndërtimit të këtij bulevardi u përcoll me shumë ankesa, sidomos nga pronarët e bizneseve dhe banorët e zonës, për mos përshtatjen e lartësisë së trotuareve me hyrjet e objekteve tregtare dhe hotelierike, si dhe të banesave.
