Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali nga terreni njofton se dy helikopterë dhe një “air tractor” po intervenon për shuarjen e zjarrit në Trubarevë, përcjell TV21. Ali thotë se në terren janë edhe gjashtë automjete të zjarrfikësve.
“Nga ana e operatorit EVN u kërkua ndërprerje urgjente e energjisë elektrike, për të mundësuar shuarjen të sigurt të zjarrit, duke përfshirë edhe përdorimin e mjeteve ajrore. Në terren janë angazhuar gjashtë automjete zjarrfikëse nga Brigada Territoriale e Zjarrfikësve e Qytetit të Shkupit, me mbi dhjetë zjarrfikës, si dhe disa automjete të specializuara nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Gjithashtu, në shuarjen e zjarrit marrin pjesë një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, një helikopter i Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe një Er-Traktor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Në terren janë dërguar edhe ekipe të ndihmës së shpejtë mjekësore”, thotë Ali.
