Me pankarta si “Fitim për Usje-n, sëmundje për ne”, “Po thithim helm” “Ajri nuk është luks, por e drejtë”, Qytetarë dhe aktivistë mjedisorë protestuan sot përpara Qeverisë  dhe disa institucioneve kundër ndotjes së shkaktuar nga fabrika e çimentos “Usje”. Sipas tyre, institucionet janë në dijeni të problemit, por nuk ndërmarrin masa konkrete. Aktivistët kritikuan autoritetet për mungesë transparence dhe për matje që, sipas tyre, nuk e pasqyrojnë gjendjen reale të ndotjes. Teknologu i diplomuar Dragan Kavrakov deklaroi se sipas lejes aktuale, „Usje“ mund të prodhojë çdo vit 1,75 milion ton çimento dhe të djegë sasi të mëdha karburantesh, pa standarde të qarta për cilësinë e tyre. Protestuesit, kërkuan që fabrika e çimentos „Usje“ të funksionojë sipas standardeve ekologjike dhe të mos rrezikojë shëndetin e qytetarëve.

“Në atë leje të integruar nuk është shkruar asnjë rresht për kontrollin e karburanteve që hyjnë në fabrikë dhe digjen aty. U lejohet që të emetojnë 7.800 kilogram dioksid squfuri në ditë në atmosferë. Kjo sasi e dioksidit të squfurit është ekuivalente kimikisht me gati dhjetë ton acid squfurik në ditë. Nuk e di se kush ua ka lejuar dhe pyes veten nëse janë kompetentë për të ditur çfarë bëjnë, por atyre u lejohet të djegin 35 mijë ton karburant alternativ që përfshin plastika, goma të copëtuara dhe tekstil”, tha Dragan Kavrakov – Teknolog.

Që dy muaj ju tregojmë se nuk ju besojmë, nuk i besojmë as Usjes e as institucioneve, në anën tjetër marrim të njëjtën përgjigje, të njëjtin tregim, të njëjtin njoftim, pjesëmarrjet në medium, dhe thirrje të vazhdueshme se ne qytetarët duhet t’ju besojmë institucioneve. Po ne me të njëjtën këmbëngulje u themi të njëjtën nuk ju besojmë.

Marshi protestues filloi para Qeverisë, vazhdoi përmes Kuvendit dhe përfundoi para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, nga ku protestuesit kërkuan që institucionet të vendosin sipas standardeve ekologjike evropiane gjatë rinovimit të lejes A-integruar të fabrikës së çimentos, e cila është caktuar për 12 mars. Nga ana tjetër, Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se protestat janë një e drejtë legjitime demokratike dhe se çdo qytetar ka të drejtë të shprehë publikisht pakënaqësinë e tij.