Pogradeci po rikthen në jetë varietetet autoktone të rrushit si Muskat Kanell, Gëms dhe veçanërisht Serina e Bardhë, falë projektit Typic-al, një program i financuar nga Qeveria Italiane përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), i zbatuar nga CIHEAM Bari në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli tha se, përveç identifikimit dhe ruajtjes së varieteteve tradicionale të rrushit, projekti ka përfshirë edhe financimin e blerjes së makinerive bujqësore moderne dhe pajisjeve teknologjike, të cilat u japin fermerëve mundësi të punojnë me mjete më efikase dhe sipas standardeve europiane.

Sipas tij, në kuadër të projektit është mbështetur krijimi i një strukture të re bashkëpunimi mes fermerëve, përmes shoqërive bujqësore, duke ndihmuar në uljen e kostove të prodhimit, ndarjen e teknologjisë së avancuar dhe përfitimin nga trajnimet profesionale të ofruara nga ekspertët e CIHEAM Bari dhe MBZHR.

Përfitimet për komunitetin rural janë të dukshme: rritje e prodhimit të rrushit autokton, rikthim i kultivimit të varieteteve të rralla, akses më i mirë në treg, rritje të të ardhurave dhe krijim i mundësive të reja për punësim në sektorin bujqësor dhe atë të agro-përpunimit.

Ky projekt përfaqëson një shembull të bashkëpunimit të suksesshëm midis institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Bashkëpunimi Italian, CIHEAM Bari dhe Ministria e Bujqësisë riafirmojnë përkushtimin për të mbështetur fermerët e Pogradecit, për të ruajtur biodiversitetin dhe për të zhvilluar një bujqësi më të qëndrueshme dhe konkurruese.

Në këtë kuadër, krijimi i SHBB Grabovicë dhe bashkimi i fermerëve vlerësohet si një hap i parë i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të prodhuesve lokalë. Sipas përfaqësuesve të projektit, vetëm përmes bashkëpunimit fermerët mund të përfitojnë më shumë nga programet e BE-së dhe projektet e mbështetura nga qeveria shqiptare. /atsh

The post Pogradeci rikthen në jetë varietetet autoktone të rrushit appeared first on Alsat.