Dhënia me koncesion e ndriçimit publik në Tetovë ka qenë tema me të cilën kandidati për kryetar të komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, ka nisur fushatën e tij në kuadër të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim. Bajram Rexhepi tha se komuna e Tetovës, përmes këtij koncesioni, i ka shkaktuar dëm buxhetit të komunës dhe përfitojnë vetëm disa individë. Ai siguroi qytetarët e Tetovës se menjëherë pas zgjedhjeve do ta shfuqizojë këtë kontratë.

“Sipas kontratës, operatori privat duhej që brenda 6 muajve nga data e nënshkrimit të zëvendësonte 8.720 llamba ekzistuese me llamba smart LED. Ky afat ka kaluar prej kohësh, por Tetova sot ende nuk ka ndriçim të modernizuar dhe qytetarët paguajnë fatura më të shtrenjta për ndriçim publik. Ky është një plan i pastër për pasurim mbi kurrizin e qytetarëve. Unë ju siguroj, se këtë kontratë do ta shfuqizojmë menjëherë, dhe nuk do të lejojmë që pasurimi i individëve të vihet mbi interesin publik dhe mbi të ardhmen e Tetovës”, tha Rexhepi.

Por kundërkandidati i tij dhe kryetar aktual i Tetovës Bilall Kasami tha se më herët, kur ndriçimi publik menaxhohej nga komuna, shpenzoheshin rreth 200 mijë euro në vit për fatura.

“Në të kaluarën se deri sa ndriçimi publik menaxhoj nga komuna, komuna duhej që cdo të plotësojë pagesën e faturave të ndriçimit publik, që harxhojnë me diku 200 mijë euro në vit. Dhe sot derisa menaxhohet nga privati, sot komuna ka të hyra rreth 200 mijë euro mjete që shkojnë në zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik. Derisa dje Tetova gjysma Tetovës ishte në terr, sot nuk ka rrugë dhe rrugicë që Tetova nuk ka ndriçim publik dhe më këtë projekt ne vazhdojmë me zgjerimin rrjetit të ndriçimit publik”, tha Kasami.

Ndryshe ndriçimi publik në Tetovë është dhënë në koncesion në vitin 2023.