Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër M. B., kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Menaxhim të Mbeturinave Komunale (KRRE), për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar, sipas nenit 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Siç njoftojnë nga Drejtoria, i denoncuari M. B., në cilësinë e kryetarit të KRRE-së, ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tij zyrtare në atë mënyrë që, në kundërshtim me Ligjin për Energjetikë dhe rregulloren për licenca, edhe pse kishte obligim të niste procedurë për heqjen e licencës për ushtrimin e veprimtarisë energjetike – tregti me shumicë të naftës së papërpunuar, derivateve të naftës, biokarburanteve dhe karburanteve për transport, përfshirë tregtinë me shumicë të “eurodizel BS” (D-E V), biodizel, “eurosuper BS 95”, ekstra i lehtë 1 (EL-1) dhe gaz i lëngshëm i naftës (GLN), për personin juridik “Triterol Petrol” SHPKNJP Shkup, për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore, ka marrë një vendim të paligjshëm për ndërprerjen e procedurës.

Në vend që licenca t’i hiqej më 15 janar 2024, ajo është hequr vetëm më 14 prill 2025. Me këtë veprim, siç theksohet, i ka mundësuar kompanisë të vazhdojë në mënyrë të kundërligjshme ushtrimin e veprimtarisë energjetike edhe për 15 muaj pas skadimit të kushteve ligjore, si dhe të marrë pjesë dhe të lidhë kontrata në kuadër të prokurimeve publike.

– Me veprimet e lartpërmendura, i denoncuari ka shkelur rregulloret që ishte i obliguar t’i zbatonte dhe i ka mundësuar personit juridik “Triterol Petrol” SHPKNJP Shkup të realizojë qarkullim të përgjithshëm në vlerë prej 194.520.962 denarë, si dhe të përfitojë dobi pasurore të kundërligjshme në shumën 14.093.576 denarë, sqarojnë nga Drejtoria e Policisë Financiare.

The post Policia Financiare kallëzim penal kundër kryetarit të KRRE-së Marko Bislimovski appeared first on Alsat.