Politico publikoi renditjen vjetore me 28 figurat më të fuqishme në politikën evropiane, duke vendosur presidentin amerikan Donald Trump në krye të listës për vitin 2025. Sipas revistës, asnjë tjetër lider nuk ka ushtruar ndikim më të madh “në ose mbi Evropën” gjatë këtij viti.

Politico e përshkruan marrëdhënien e kontinentit me Trumpin si një sfidë të vazhdueshme diplomatike, ku ai shfaqet njëherësh si “partner”, “kërcënim” dhe forcë që riformëson raportet me Evropën sipas kushteve të tij. Revista thekson se vendimet e tij të papritura mund të ndryshojnë skenën evropiane “brenda natës”.

Pas Trump, pozicionohen kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kancelari gjerman Friedrich Merz. Në pesëshen e parë përfshihen edhe Marine Le Pen dhe presidenti rus Vladimir Putin.
Në listë përfshihen liderë shtetesh, drejtues institucionesh evropiane, figura të rëndësishme transatlantike, si edhe personalitete të ekonomisë dhe sportit që, sipas Politico-s, ndikojnë në formësimin e peizazhit politik të kontinentit.
Më tej në renditje janë Nigel Farage, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri britanik Keir Starmer. Lista përfshin gjithashtu Viktor Orbán, presidentin finlandez Alexander Stubb, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ekonomistin francez Gabriel Zucman, shefen e diplomacisë së BE-së Kaja Kallas dhe nënkryetaren e Komisionit Teresa Ribera.

Politico përfshin edhe emra nga biznesi dhe institucionet financiare, si themeluesi i Spotify Daniel Ek, presidenti francez Emmanuel Macron, ish-presidenti i BQE Mario Draghi, kryeministri çek Andrej Babis, si dhe presidentja e Polonisë Karol Nawrocka.
