Në prag të armëpushimit të pritur në konfliktin në Gazë, përfaqësues të Izraelit dhe Hamasit pritet të takohen sot në Egjipt për të diskutuar mbi planin e paqes të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas agjencisë DPA, të dyja palët do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje të bazuar në planin prej 20 pikash, të cilin Trump e publikoi një javë më parë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Egjiptit njoftoi se fokusi fillestar i bisedimeve, që do të zhvillohen përmes ndërmjetësuesve, do të jetë arritja e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi në Gazë, në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael.
Hamasi bëri të ditur se delegacioni i udhëhequr nga negociatori me përvojë Halil al-Haja do të udhëtojë për në takimin në resorin egjiptian Sharm el-Sheikh, ndërsa delegacionin izraelit do ta kryesojë ministri i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer.
Nga pala amerikane do të marrin pjesë i dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu theksoi se Izraeli dhe SHBA-të janë të vendosura që bisedimet indirekte me Hamasin të zgjasin vetëm disa ditë.
Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë ndërmjetësues në konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.
Të premten, Hamasi njoftoi se pranon pjesërisht planin e Trumpit, pas çka presidenti amerikan i bëri thirrje Izraelit të ndërpresë menjëherë bombardimet në Rripin e Gazës.
Megjithatë, disa çështje kyçe të planit gjithëpërfshirës të paqes mbeten të pazgjidhura – mes tyre çarmatimi i Hamasit, që grupi e refuzon, si dhe tërheqja e trupave izraelite nga Gaza
