E mërkura në mesditë mblodhi disa protestues që bllokuan rrugën në vendbanimin e Draçevës, pikërisht para NP Pyjet e Maqedonisë – njësia “Karaxhica”. Ata shprehën revoltën që tani një muaj e gjysmë rruga mbetet pothuajse e pakalueshme për disa fshatra kodrinorë në periferi të Shkupit, pasi që drunjtë e prerë për skaj rrugës nuk janë pastruar nga ky autoritet kompetent. Banorët thanë se kjo ju vështirëson lëvizjen dhe se ju kanë dëmtuar edhe rrugën e fshatrave nga makineritë e rënda, që tani veturat mezi kalojnë.

“Kemi dal në protesta për shkak të prerjes së pyjeve dhe rrugën që po na dëmtojnë, e kanë prishur të gjithën, kemi shumë probleme por t’i bie shkurt se pyjet ne i kemi me dokumente tona po vijnë e na presin në malet tona. Malet i kemi dem baba dem, jo të sotshme por i kemi trashëguar me dokument disa akoma nuk i kanë rregulluar çështjet pronësore-jurdike e disa po, por thonë se janë pronë RM”, theksoi Fazli Hetemi – protestues.

“Ka këtu kompani, nuk e di ‘Karaxhica’ apo tjetër që kanë lënë degët nëpër rrugë, nuk e kanë pastruar rrugën, makineritë e rënda e kanë dëmtuar rrugën. Bëhet fjalë për njerëz që 40 km larg Shkupit të mos kenë komunikim me civilizimin. Së pari, lart s’kemi as rrjet telefonik! Së dyti, ndërtohet hidrocentrali prej disa vitesh dhe këtu ka dëmtime intensive shikoni kamionët që ngjiten lartë kanë nga 15 ton”, u shpreh një tjetër protestues.

Protestuesit i vizitoi edhe kryetari i Komunës së Studeniçanit Ejup Abazi, i cili tha se do të alarmojë që rruga të pastrohet në afat sa më të shpjet dhe se prerjet e radhës të jenë të kontrolluara pa dëme.

“Ne si komunë nuk kemi kompetencë ti kontrollojmë Pyjet e Maqedonisë sepse ka Inspektorat shtetëror për pylltari dhe gjueti dhe ne si komunë do ta adresojmë duke kërkuar prej institucioneve përkatëse që kur ka prerje të drurëve të bëhen në mënyrë të kontrolluar dhe që mos të ketë dëme rruga, përmes së cilës kalojnë qytetarët”, deklaroi Ejup Abazi – kryetar i Komunës së Studeniçanit.

Nga Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë – Karaxhica” thanë se me kërkesë të ARM-së dhe Qendrës për Menaxhim me Kriza është kërkuar pastrimi i degëve në dy anët e rrugës për kalim më të lehtë të mjeteve të rënda në raste emergjente. Ndonëse ajo zonë është e ndaluar për kamion mbi 7 ton, përgjegjësi Vllatko Gruevski tha se brenda 20 ditësh do të dalin t’i pastrojnë mbetjet e degëve në rrugë.

“Presim makinerinë ndërtuese sipas procedurave të tenderimit dhe këtyre ditëve duhet të shkojmë lart përmes fshatit Sobica, Mala Reka dhe Alldince. Në dy-tri vende kemi raste kur përputhen trasetë e largpërçuesve dhe traseje që e pastrojmë rrugën, kalojnë njëra ngjit me tjetrën dhe me urdhër të EVN u kërkua që të pastrohej ajo trase nga pyjet. EVN ka prerë drunjtë ne i kemi tërhequr dhe pastruar”, tha Vllatko Gruevski – përgjegjës në NP Pyjet e Maqedonisë – “Karaxhica”.

Pas bllokimit të rrugës për një orë, protestuesit u shpërndanë, por banorët thonë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre derisa të gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë dhe të sigurt.