Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, sot qëndroi në Tetovë, ku u prit nga kryetari i komunës, Bilall Kasami. Vizita përfshiu edhe shkollën fillore “Liria”, ku nxënësit prezantuan një program artistik, si dhe vendet historike dhe kulturore të qytetit, përfshirë Xhaminë e Larme, Teqenë Arabati Baba dhe Universitetin e Tetovës. Begaj falënderoi qytetarët për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si një lidhje unifikuese për shqiptarët.
“Ju përgëzoj me zemër që gjatë gjithë këtyre viteve, ju keni mbajtur gjallë gjuhën amtare, gjuhën e kombit tuaj, e keni kultivuar dhe pasuruar atë. Gjithë ne sipas mënyrës sonë, mundësive dhe aftësive duhet të bëhemi misionar të shqiptarisë. Të ruash gjuhën traditën dhe elementin identitar e ti promovosh këto vlera ndër breza e vite është kauza jonë e përbashkët e që na mban gjallë. Unë besoj që kreu i komunës së Tetovës do bëj çmos që Tetova të mbetet e para e këtyre anëve sikur atëherë kur hapi shkollën e parë shqipe”, tha Bajram Begaj.
Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, përshkroi vizitën e presidentit Begaj si shumë më tepër se një takim institucional. Ai theksoi se ky moment tregon lidhjen e fortë dhe të gjallë mes shqiptarëve kudo që ndodhen dhe atdheut të tyre, Shqipërisë.
“Kjo vizitë, shënon jo vetëm një takim institucional por edhe i shprehjes së gjallë të lidhjes së fuqishme që ekziston mes shqiptarëve kudo që ndodhen, dhe atdheut të tyre, Shqipërisë. Ne e kuptojmë rëndësinë e bashkëpunimit me vendin amë si një mision i përbashkët për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar”, tha Bilall Kasami
Pas qëndrimit në Tetovë, Bajram Begaj vazhdoi vizitën e tij në Gostivar dhe Dibër. Ndërkaq, dje ai ishte në Shkup, ku zhvilloi takime me presidenten, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, duke iu drejtuar gjithashtu edhe deputetëve me fjalë rastit. Vizita e presidentit shqiptar në vend nisi dy ditë më parë në Çashkë dhe Çair.
