
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj gjatë vizitës në Tetovë foli për rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit, zbatimin e Ligjit të Gjuhëve dhe ruajtjen e traditave.
“Gjithë ne sipas mënyrës sonë, mundësive dhe aftësive duhet të bëhemi misionar të shqiptarisë. Të ruash gjuhën traditën dhe elementin identitar e ti promovosh këto vlera ndër breza e vite është kauza jonë e përbashkët e që na mban gjallë. Unë besoj që kreu i komunës së Tetovës do bëj çmos që Tetova të mbetet e para e këtyre anëve sikur atëherë kur hapi shkollën e parë shqipe. Pas shumë vitesh përpjekje e sakrificë, tashmë Marrëveshja e Ohrit na ka siguruar këtë të drejtë themelore me Ligjin e gjuhëve dhe ne duhet ta mbrojmë me çdo çmim atë, e mua do të më keni gjithmonë në krah e mbështetje”, u shpreh Bajram Begaj, President i Shqipërisë.
Kreu i komunës së Tetovës, Kasami, tha se kjo vizitë është më shumë se sa një takim institucional.
“Kjo vizitë, shënon jo vetëm një takim institucional por edhe i shprehjes së gjallë të lidhjes së fuqishme që ekziston mes shqiptarëve kudo që ndodhen, dhe atdheut të tyre, Shqipërisë. Ne e kuptojmë rëndësinë e bashkëpunimit me vendin amë si një mision i përbashkët për zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit tonë kombëtar………….Bashkëpunimi i institucioneve të Shqipërisë me komunat shqiptare drejtë për drejtë, është një investim në mirëqenien e shqiptarëve dhe zhvillimin e vendeve tona”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Për presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, përveç pritjes protokollare, u organizua edhe një program i pasur kulturoro- artistik. Begaj pas Tetovës, vizitën e tij vazhdoi në Gostivar./Alsat.mk
