Presidenca e Kosovës sërish ka reaguar për incidentin e Vjosa Osmanit në Aeroportin e Shkupit. Këtë herë komplet reagimi shkon drejt kryeministrit Albin Kurti i cili dje gjatë një konference për media në Shkup tha se institucionet e Kosovës s’kanë qëndrim se situata ishte “provokim” dhe se një raport zyrtar do ta zbardhë ngjarjen.
Presidenca thotë se mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Kosovës.
“Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në njoftim, raporton Paparaci.
Osmani situatën e kishte përshkruar si “provokim të pastër” ndërsa Kurti i pyetur se a qëndron akoma “në këtë vlerësim”, ai tha: “Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës qëndrim të tillë. Mund ta ketë thënë ndokush prej qytetarëve, por jo institucionet e Republikës”.
Më poshtë deklarata e plotë e Presidencës së Kosovës:
Presidentja e Republikës së Kosovës ASNJËHERË nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën.
Lista e shteteve të cilat i ka vizituar Presidentja Osmani gjatë mandatit të saj si Presidente përfshinë SHBA-të, Shqipërinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Italinë, Austrinë, Belgjikën, Bullgarinë, Çekinë, Finlandën, Kanadanë, Kosta Rikën, Kroacinë, Danimarkën, El Salvadorin, Estoninë, Francën, Greqinë, Islandën, Japoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Moldavinë, Malin e Zi, Panamanë, Portugalinë, Katarin, Singaporin, Slloveninë, Spanjën, Zvicrën, Tajlandën, Tunizinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Vatikanin, etj. Të gjitha këto shtete, shumicën prej të cilave i ka vizituar disa herë gjatë mandatit, pa përjashtim, i kanë respektuar në plotni rregullat ndërkombëtare sa i përket trajtimit të kreut të shtetit, rrjedhimisht edhe të vet shtetit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidentja e vendit përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë. Pavarësisht rregullave jashtëzakonisht strikte të sigurisë në aeroportet e shumicës dërrmuese të shteteve të lartpërmendura, ata e pranojnë Presidentin e një shteti si përfaqësuesin më të lartë të shtetit dhe kurrë nuk kërkojnë skanimin as të çantës personale e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’, sepse kjo, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit – rrjedhimisht shtetin – si rrezik potencial për terrorizëm.
Në çdo vend ku udhëtojmë, nuk është Presidentja që e kërkon një trajtim të tillë. Ky trajtim ofrohet automatikisht nga shtetet pritëse bazuar në njoftimin që bëhet nga ambasadat tona për udhëtimin e Presidentes dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare zakonore (e detyrueshme për të gjitha shtetet). Siç shihet nga lista e lartpërmendur, kjo është respektuar në tërësi edhe nga shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Se kjo procedurë respektohet çdoherë e çdokund, Presidentja Osmani e ka konfirmuar edhe me homologë të saj me të cilët ka biseduar këto ditë.
Presidentja e Republikës së Kosovës kërkon respekt për shtetin që përfaqëson, pra Republikën e Kosovës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë me ngulm në përputhje me rregullat e parimet ndërkombëtare që rregullojnë raportet ndërmjet shteteve.
Raportet për incidentin e paprecedentë në Aeroportin e Shkupit të përgatitura nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë tashmë të finalizuara dhe të qasshme, dhe kanë qenë tash e sa ditë. Nga këto raporte kuptohet qartë se nuk ka kërkesë për devijim ose anashkalim të rregullave, por përkundrazi, respektim dhe aplikim të konventave dhe të së drejtës ndërkombëtare zakonore, e mbi të gjitha, respekt për Republikën e Kosovës.
Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.
Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por perkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë. Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare.
Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave.
Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, Presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si Presidente e vendit, ka kontribuuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar.