Të jesh prind i një fëmije me nevoja të veçanta paraqet një sfidë të vazhdueshme, si në aspektin psikologjik ashtu edhe në atë fizik. Përballja e përditshme me vështirësi të shumta e bën këtë rrugëtim edhe më të rëndë kur mungon infrastruktura e nevojshme.
Në Kërçovë është themeluar shoqata “Shpresë”, e cila synon të krijojë një rrjet bashkëpunimi dhe mbështetjeje mes prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Nga ana e shtetit ne jemi një grup i margjinalizuar njerëzish, ndërsa barrën më të madhe e mbajnë prindërit e fëmijëve dhe e gjithë familja komplet të gjithë. Është shumë e vështirë të kesh fëmijë me ngecje, shumë net pa gjumë, shumë ditë ne lot. Në Kërçovë nuk ka, ka vetëm një qëndrim ditor por varet si janë pranuar atje fëmijët, ndërsa ne po luftojmë vetë në shtëpi”, u shpreh Sllave Sërbakovski – Shoqata “Shpresë” – Kërçovë.
Me prindërit në Kërçovë qëndroi psikologia Amela Memish Apostollovska, autore e dy librave që trajtojnë autizmin dhe sfidat që e shoqërojnë atë. Frymëzimi i saj buron si nga përvoja profesionale, ashtu edhe nga ajo personale, si nënë e një fëmije me autizëm. Sipas saj, përtej çdo trajtimi apo mbështetjeje tjetër, ajo që këta fëmijë kanë më së shumti nevojë janë pozitiviteti dhe dashuria.
“Të lejojnë të kalojnë procesin e dhimbjes, mërzis dhe acarimit si dhe mospranimit kjo është pika e parë me të cilën duhet të ballafaqohen me diagnozën. E dyta është ta pranojnë problemin me të cilin ballafaqohen, ta përqafojnë që të mundet sa më shpejt ta kalojnë. Dhe e treta duhet ta kuptojnë se ata nuk janë të dënuar por janë të bekuar sepse ata fëmijë do t’i mësojnë për shumë punë në të ardhmen që njerëzit tipik nuk mund ta kuptojnë ajo është empatia, dashuria dhe sinqeriteti”, theksoi Amela Memishi Apostolovska – psikologe.
Vitet e fundit është shënuar rritje e numrit të fëmijëve me autizëm në vend, duke shtuar nevojën për mbështetje më të madhe institucionale dhe ndërgjegjësim shoqëror. Edhe pse shkenca ka avancuar, autizmi mbetet një çrregullim kompleks me faktorë të shumtë ndikues, çka e bën edhe më të domosdoshme përkrahjen e vazhdueshme për këta fëmijë dhe familjet e tyre.
