Është prishur konkursi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Agjencisë për Komunikime Elektronike. Siç mëson TV21, gjatë pasdites së sotme komisioni i formuar për të shqyruar kandidaturat, nuk ka arritur në një ujdi për drejtuesin e ri të këtij trupi rregullues, e si pasojë është anuluar i gjithë konkursi.
Kjo vjen pasi në dy javët e fundit ka pasur plot zëra për ndërhyje politike në këtë proces, gjë që bëri që përzgjedhja të shtyhej për disa ditë.
Nga ajo që ka raportuar TV21 më herët, mund të theksohet se zgjedhja e drejtorit të AKE-së u shndërruar në mollë sherri brenda anëtarëve të ASH-së që janë pjesë e VLEN-it. Më saktësisht, Arben Fetai, Azir Aliu dhe Mimoza Musa, janë përmendur si mbështetës të kandidatëve të ndryshëm për pozicionin e drejtorit, duke nxitur spekulime për presione dhe interesim jo vetëm profesional, por edhe politik në procedurë. Megjithatë, zëdhënësi i koalicionit, Albrim Hoxha, ka mohuar se brenda ASH-së apo koalicionit ka ndonjë përplasje për poste, duke e cilësuar këtë si përpjekje për të krijuar perceptim negativ dhe duke siguruar se procesi po zhvillohet sipas kritereve profesionale dhe ligjore.
Përndryshe, nga komisioni që e menaxhon procesin u pat bërë e ditur se nga 9 kandidatë të parashikuar fillimisht, njëri nuk përmbushte kriteret ligjore, ndërsa një tjetër nuk u paraqit në intervistë, duke lënë vetëm 7 emra në garë.
Sipas kushteve të shpalljes, kandidatët duhet të kenë të paktën pesë vite përvojë në fushën e komunikimeve elektronike dhe të posedojnë certifikata ndërkombëtare të gjuhës angleze, kriter që synon të sigurojë profesionalizëm në udhëheqjen e këtij institucioni rregullator kyç.
Agjencia për Komunikime Elektronike luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e tregut të telekomunikacioneve, mbikëqyrjen e operatorëve të telekomunikacionit, si edhe në sigurimin e konkurrencës së ndershme për qytetarët dhe bizneset. Për këtë arsye, zgjedhja e drejtorit të ri shihet si një vendim me ndikim të gjerë, duke bërë që medias dhe opinionit publik t’i tërheqë vëmendje e edhe kritikë rreth mënyrës së zhvillimit të konkursit dhe ndikimit të politikës në këtë institucion.
Në këto rrethana, procesi për zgjedhjen e drejtuesit të Agjencisë për Komunikime Elektronike mbetet i hapur dhe në pritje të vendimit përfundimtar, ndërsa interesimi publik për transparencë, profesionalizëm dhe respektim të ligjit vazhdon të jetë temë diskutimi në media.
