Më 4 janar u hap autostrada Rankovcë-Kriva Pallankë, pjesë e Korridorit 8, në gjatësi 25.5 kilometra.
Dje, 14 janar, u përurua aksi Gradsko-Drenovë, pjesë e autostradës Gradsko-Farish, në gjatësi prej 15.5 kilometrash.

E deri sa Mickoski dhe Nikollovski presin shirita të projekteve që kishin nisur nga qeverisja e kaluar, askush nuk po duket në autostradën Shkup-Bllacë për të prerë ndonjë shirit, të paktën të 2 kilometrave të para.

Njëjtë si qeveria e kaluar, edhe kjo aktualja ka nisur të japë dhe të shkelë afate! Kjo për shkak se që në fillim të vjeshtës 2024, zyrtarë të Qeverisë nga radhët e VLEN-it, kompetentë për projektet infrastrukturore, u patën zotuar se 2 kilometrat e para të Shkup-Bllacë do të jenë gati në nëntor 2024.

Jemi në mes të janarit 2025 dhe asnjë njoftim nuk ka për Shkup-Bllacën. E pyetur se pse nuk u përurua, zëvendësministrja Zekolli-Shaqiri sot na tha se autostrada është gati, por duhet të përfundojë edhe procedura për shpronësimin e tokës.

Në përgjigjen me shkrim, Zekolli-Shaqiri po ashtu thekson se ky dy-kilometërsh, pa lidhjen me fazën e dytë prej 10 kilometrave, nuk është funksional, pasi siç shtoi, nuk përfundon në një pikë të aksesueshme dhe nuk ofron lidhje të plotë të rrugës Shkup-Bllacë.

Sa i përket fazës së dytë prej 10 kilometrash të rrugës Shkup-Bllacë, zëvendësministrja tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me NP “Rrugët Shtetërore” dhe se aktualisht po kryhet evaluimi për këtë pjesë dhe është hapur tenderi për parakualifikim për përzgjedhjen e firmës ndërtuese. Sipas Zekollit, ky proces siguron që të zgjidhet një kompani e kualifikuar që do të garantojë standardet më të larta të ndërtimit.