Stomatologu Bekim Sali, ish-ministër i Shëndetësisë në qeverinë e Dimitar Kovaçevskit, aktualisht deputet nga radhët e VLEN, është një hap larg marrjes së një funksioni të ri – atë të zv/kryeministrit në qeverinë e Hristijan Mickoskit. Sipas paralajmërimeve ai pritet ta zëvendësojë Izet Mexhitin, i cili u rikthye sërish në postin e kryetarit të komunës së Çairit.
Sipas “Faktor“, Sali është pronar i dy kompanive, të cilat janë të regjistruara në rrugën “Xhon Kenedi” në Çair, komunë ku edhe banon.
Stomatologjia “Molar Dent” e Salit funksionon që nga viti 2008. Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, ajo ka të punësuar 21 persona dhe ka pasur rezultate të ndryshme financiare gjatë viteve.
Në vitin 2022, kompania regjistroi një fitim prej 137,000 denarë. Viti 2023 ishte shumë më i suksesshëm për Salin, dhe pas shpenzimeve, fitimi i “Molar Dent” arriti 1,628,000 denarë. Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar, shpenzimet u rritën dhe fitimi u ul në vetëm 5,000 denarë.

Në vitin 2016, Sali themeloi një tjetër kompani – “Molar Implant”. Megjithatë, kjo kompani duket se mbahet “për çdo rast”. Në vitin 2022, “Molar Implant” regjistroi humbje prej 13,000 denarë. Gjatë viteve 2023 dhe 2024, kompania praktikisht nuk punoi – me 0 denarë të ardhura, 0 denarë shpenzime dhe 0 denarë fitim.

Sali u zgjodh deputet vitin e kaluar në Kuvend si pjesë e koalicionit VLEN. Sipas raporteve të deklaruar para Komisionit Antikorrupsion, pasuria e tij vlerësohet rreth 1 milion euro.

