I renditën autobusët dhe po prisnin që kryetari i ri i Shkupit të vinte me ceremoni. Por Orce Gjeorgjievski iu erdhi në befasi nga pas, duke iu dhënë madje edhe vërejtje për disa autobusë.

Nga e hëna do të aktivizohen edhe 55 autobusë të tjerë të transportuesve privatë në linjat e Shkupit. Deri në fundvit edhe 20 autobusë të tjerë të privatëve do të aktivizohen në linjat publike të kryeqytetit. Përveç kësaj, 80 autobusë fringo të ri përmes Qeverisë pritet të porositen për NQP, deri kah marsi 2026.
Këto janë tre hapat e kreut të qytetit në takimin që sot pati me tre nga transportuesit privatë.

“Derisa nuk kishim autobusë të arrijmë në vendet e punës, derisa fëmijët nga ngriheshin nëpër pikat e pritjes së autobusëve viteve të kaluara, dikush ka përfituar shuma të majme sikurse fajde në tre vitet e fundit dhe këtu duhet të ketë përgjegjësi”, tha Gjeorgjievski.

Përfaqësues i transportuesve privat tha se borxhi i Qytetit ndaj tyre është diku 180 milionë denarë.
Ata me drejtuesit e rinj të NQP-së do të angazhohen për riorganizim të linjave të autobusëve.

“Transportuesit privat janë një pjesë shumë e rëndësishme e transportit publik në Shkup, punuam seriozisht në rinovimin e linjave me autobusë ekologjikë, mundemi tu përgjigjemi nevojave të qytetarëve dhe do të punojmë në ndryshimin e linjave por edhe të gjitha projekteve të mbetura që bëjnë pjesë në transportin publik. Shumë shpejtë oraret do të respektohen dhe qytetarët nuk do të presin”, tha Jovica Zafirovski, përfaqësues i transportuesve privat.

Gjorgjievski iu bën thirrje autoriteteve të hetojnë rastet e keqmenaxhimit të deritanishëm ku dyshohet se kanë vjedhur buxhetin e qytetit përmes furnizimeve të pjesëve rezervë. Madje edhe disa autobusë të rinj me kilometrazh 00, nuk janë vënë në përdorim por janë çmontuar për zëvendësim të pjesëve.